Supozimet e Izraelit se 12 punëtorë të një agjencie të Organizatës së Kombeve të Bashkuara janë përfshirë në sulmet e Hamasit, më 7 tetor, në tokën izraelite, ka bërë që Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete tjera, të ndërpresin fondet për agjencinë dhe të zgjojnë debatin për ofruesin më të madh të ndihmave në Gazë. Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, e njohur si UNRWA, punëson mijëra persona dhe ofron ndihmë dhe shërbime jetike për miliona njerëz në gjithë Lindjen e Mesme. Në Gazë, kjo organizatë ka qenë kryesorja që ka ofruar ushqim dhe ka siguruar strehim për civilët, gjatë luftës Izrael-Hamas.

Izraeli – dyshimet e të cilit janë paraqitur në një dokument të siguruar të hënën prej agjencisë së lajmeve Associated Press – ka folur shpesh kundër agjencisë, duke e akuzuar se po toleron, ose edhe po bashkëpunon me Hamasin, dhe se po e përjetëson krizën 76-vjeçare të refugjatëve palestinezë. Qeveria izraelite e ka akuzuar Hamasin, dhe grupe tjera militante, se kanë hequr ndihmat prej objekteve të kësaj organizate, dhe po i përdorin ato për qëllime ushtarake. UNRWA i ka mohuar këto supozime dhe ka thënë se ka ndërmarrë veprime kundër punëtorëve të akuzuar për pjesëmarrje në sulm. Shtetet e Bashkuara dhe donatorë tjerë kryesorë, që së bashku kanë krijuar më shumë se gjysmën e buxhetit të UNRWA-s, më 2022, i kanë pezulluar së fundi fondet për këtë agjenci. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se 2 milionë palestinezë në Gazë, apo 87 për qind e popullsisë, varen prej ndihmave të UNRWA-s, dhe shërbimet e saj do të zvogëlohen prej shkurtit, nëse paratë nuk kthehen.

Çfarë është UNRWA dhe pse është krijuar?

Agjencia e OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindje të Afërt, është krijuar për t’iu ofruar ndihmë rreth 700.000 palestinezëve, të cilët kanë ikur, apo janë dëbuar prej tokës ku sot është Izraeli, në luftën e vitit 1948. Palestinezët kanë thënë se refugjatët dhe pasardhësit e tyre, që tani janë rreth 6 milionë, nëpër Lindje të Mesme, kanë të drejtë të kthehen nëpër shtëpitë e tyre. Izraeli ka refuzuar këtë gjë, sepse nëse e drejta për kthim do të zbatohej plotësisht, do të rezultonte me shumicë palestineze brenda kufijve të tij. Fati i refugjatëve dhe pasardhësve të tyre, ka qenë ndër sfidat kryesore në proceset e paqes, të cilat janë pezulluar prej vitit 2009. UNRWA operon në shkolla, klinika shëndetësore, projekte infrastrukturore, dhe programe të ndihmës në kampet e refugjatëve, që tani u ngjajnë lagjeve të dendura urbane në Gazë, Bregun Perëndimor, të pushtuar prej Izraelit, Liban, Siri dhe Jordani. Organizata i ka rreth 13.000 punëtorë vetëm në Gazë, shumica prej tyre palestinezë. Në Gazë, ku pjesa më e madhe e 2.3 milionë banorëve, kanë ikur prej shtëpive të tyre, shumica, apo 1 milion njerëz, janë duke u strehuar në shkolla dhe objekte tjera ku operon UNRWA.

Çfarë thonë Izraeli dhe kritikë tjerë për UNRWA-n?

Izraeli akuzon organizatën UNRWA se i ka mbyllur sytë ndaj Hamasit, i cili udhëheq Gazën prej vitit 2007, dhe se po lufton brenda dhe rreth objekteve të organizatës, disa prej të cilave janë goditur gjatë luftës. Izraeli, po ashtu, ka treguar se disa tunele të Hamasit janë afër objekteve të organizatës dhe e akuzon atë se po u ligjëron nxënësve në shkolla për urrejtje ndaj Izraelit. UNRWA mohon se i dërgon ndihma Hamasit apo grupeve tjera militante, dhe ka përsëritur se ka roje të brendshme. Agjencia ka thënë se heton në detaje supozimet për ndonjë keqbërje eventuale prej anës së stafit dhe ia ofron Izraelit dhe vendeve tjera, listën e plotë të punëtorëve. Në dokumentin e Izraelit janë bërë supozime kundër dhjetëra punëtorëve të OKB-së, që është thënë se kanë marrë pjesë në sulmet e Hamasit kundër Izraelit. Sipas dokumentit, shtatë prej tyre kanë hyrë në Izrael, përfshirë dy që kanë marrë pjesë në kidnapime. Mes tjerash, në dokument është përmendur se rreth 190 punëtorë të UNRWA-s kanë qenë anëtarë të grupeve militante, pa ofruar dëshmi. Në sulmin e 7 tetorit, luftëtarët e Hamasit kanë hyrë prej Gazës në kufijtë e jashtëm të Izraelit. Militantë tjerë i janë bashkuar shpejt sulmit nëpër komunitetet e afërta izraelite, duke vrarë 1.200 persona, shumicën civilë. Rreth 250 të tjerë, përfshirë fëmijë, janë marrë peng dhe janë dërguar në Gazë. Shefi i OKB-së, Guterres, ka thënë se nëntë prej punëtorëve të UNRWA-s, që janë akuzuar për pjesëmarrje, tashmë u janë shkëputur kontratat. Ai ka thënë se të gjithë do të mbahen përgjegjës, dhe ndaj tyre do të kryhen hetime. Në dokumentin izraelit është thënë se dy prej punëtorëve të agjencisë janë vrarë, ndërsa OKB-ja ka thënë se njëri ende duhet të identifikohet. Të dhënat që mbështesin këto supozime, nuk janë bërë publike. UNRWA i ka dënuar sulmet e 7 tetorit, dhe ka bërë thirrje që të gjitha pengjet të lirohen.

Para se të bëheshin sugjerimet e fundit, Komisionari i Përgjithshëm i agjencisë, Philippe Lazzarini, e ka prezantuar një rishikim të zgjeruar, për të vërtetuar se cilat akuza paraprake të Izraelit dhe mbështetësve të tij, kanë qenë “të vërteta apo të pavërteta” dhe çka ka qenë e “motivuar politikisht”. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se agjencia duhet të mbyllet. Mirëpo Qeveria e tij ka vazhduar të lejojë UNRWA-n që të operojë në Bregun Perëndimor dhe Gazë, ku ofron shërbime bazike, që në situatë tjetër do të ishin përgjegjësi e Izraelit, i cili e ka pushtuar Bregun Perëndimor dhe ka vendosur bllokadë deri te kufiri i Egjiptit me Gazën. Asnjë tjetër entitet nuk do të mund të plotësojë boshllëkun që mund të lërë UNRWA, nëse i pushon të gjitha operacionet.

Çfarë nënkupton për Gazën ndalja e fondeve?

Shtetet e Bashkuara, të parat që kanë ndërprerë ndihmën, kanë qenë donatoret kryesore të agjencisë, duke ofruar 340 milionë dollarë, më 2022. Disa shtete tjera, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Australinë, Gjermaninë, Japoninë dhe Italinë, e kanë pezulluar, po ashtu, ndihmën. Në total, të gjithë këto vende kanë formuar 60 për qind të fondeve të agjencisë më 2022. Ende nuk dihet dhe kur apo si do të vërehet pezullimi i ndihmave në operacionet ditore të agjencisë. Norvegjia dhe Irlanda, kanë thënë se do të vazhdojnë të financojnë këtë trup. Lufta e ka zhytur Gazën në kriza të thella humanitare. Një në katër palestinezë në këtë territor, përballet me uri. “Operacioni ynë humanitar në Gazë, prej të cilit varen 2 milionë njerëz, kokë e këmbë, është duke u shpartalluar”, ka thënë Lazzarini në X, platformë e njohur më parë si Twitter. Ai është shokuar me vendimin e disa shteteve për të pezulluar ndihmën, “duke u bazuar në dyshimet e disa individëve, teksa vazhdon lufta, dhe thellohen nevojat e uria”. Si pasojë e luftës në Gazë janë vrarë rreth 26.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa janë plagosur më shumë se 64.4000 njerëz, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze. Në këto shifra përfshihen mbi 150 punëtorë të UNWRA-s, duke shënuar numrin më të madh të personave që ka humbur agjencia në një konflikt./REL