Inflacioni u rrit lehtë në muajin dhjetor, duke prekur nivelin 4%. Të dhënat e INSTAT tregojnë, se ai qëndron mbi nivelin normal për shkak të çmimit të ushqimeve dhe argëtimit. Pasi ranë nivelin më të ulët vjetor gjatë muajit tetor, inflacioni iu rikthye rritjes së lehtë në muajt nëntor dhe dhjetor.

Instituti i Statistikave llogarit se gjatë dhjetorit, treguesi i ndryshimit të çmimeve u rrit në 4 për qind, nga 3.8 dhe 3.9 përqind që u regjistrua në muajt parardhës.

Ushqimet duket se mbajnë peshën më të madhe në ecurinë e inflacionit me 6.7%, të cilat janë shtrenjtuar edhe për shkak të festave të fundvitit së bashku me pijet alkoolike. Po ashtu, edhe argëtimi, i cili deri para dy vitesh nuk ka patur ndonje kontribut të fortë në shkallën e inflacionit në dhjetor rezultoi në nivelin 5.4%.

Për të kuptuar trendin e inflacionit dhe shpenzimet e familjeve, për gjithë vitin e kaluar, çmimet u shtrenjtuan mesatarisht me 4.8 përqind në raport me 2022-shin, ndërkohë që niveli optimal do të duhej të ishte 3%.