E ardhmja e Marash Kumbullës është e vendosur tashmë. Mediet italiane raportojnë se mbrojtësi i kombëtares shqiptare të futbollit do të kalojë në formë huazimi deri në përfundim të sezonit te Sassuolo, me dy klubet që mësohet se kanë arritur marrëveshjen gjatë natës.

Kumbulla do të kalojë te Sassuolo në formë huazimi deri në fund të këtij sezoni, me lojtarin “kuqezi” i cili shpreson të gjejë sa më shumë hapësira te skuadra e re, pasi vjen nga një dëmtim shumë i gjatë.

Shqiptari nuk ka dalë asnjëherë në fushë deri më tani këtë sezon me Romën, por rikthimi i tij në fushën e blertë duket se do të ndodhë te skuadra e Dionisit, i cili shpreson të zgjidhë problemet në mbrojtje që kanë karakterizuar rezultatet e ekipit të tij në këtë pjesë të parë të sezonit.

Ndërkohë vlen të theksohet se te Sassuolo Kumbulla do të gjejë edhe një tjetër shqiptar, pasi pjesë e kësaj skuadre është edhe mesfushori u kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami.