Në mbarë vendin, besimtarët ortodoksë kanë kremtuar sot ditën e Ujit të Bekuar, një ritual i lashtë që përcjell mesazhe për mbarësi dhe prosperitet. Kjo ditë simbolizon larjen e mëkateve dhe nisjen e një jete të re plot besim dhe përkushtim ndaj perëndisë dhe zotit Jezu Krisht. Kronika në vazhdim na njeh me ritualin e hedhjes së kryqit në ujë në disa nga qytetet e vendit.

Në Korçë kremtimi i festës ka nisur prej mëngjesit me celebrimin e meshës hyjnore drejtuar nga Imzot Johani për të gjithë besimtarët në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”.

Ndërsa në qytetin e Pogradecit, Thanas Vako 18 vjec, arriti të kapë i pari Kryqin në Urën e qytetit. Ku i pranishëm ishte dhe hirësia e tij, Mitripoliti Johan Pelushi.
Dhe më pas qytetarët iu drejtuan shatërvanit te lulishtja ”Vangjush Mio”, ku është zhvilluar gjithnjë ceremonia e hedhjes së kryqit në ujë.

Kryqin e kapi për herë te dytë i riu nga Korca, Ronaldo Kovaçi.

Në qytetin e Beratit 6 janari përcillet çdo vit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët e krishterë. Në lumin Osum janë hedhur 11 të rinj, ndërsa kryqi u kap nga 15-vjeçari Kostandin Boçi.

Dita e ujit të bekuar është kremtuar edhe 6 Janar në Vlorë nëpërmjet ceremonisë tradicionale të hedhjes së kryqit në det e cila u drejtua nga at.Kostandin Prifti. Kryqi u kap nga Albert Bollano.

Besimtarët ortodoksë në Fier e kanë festuar ditën e ujit të bekuar në shatërvanin e sheshit Europa. Ka qenë 30-vjeçari Dhimitër Kapaj ai që e ka nxjerrë kryqin nga uji, për t’ia dhuruar më pas Mitropolitit At Nikolla, i cili nga ana e tij i ka bekuar besimtarët.

Ceremonia e ujit të bekuar në Elbasan u drejtua nga metropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit Imzot Andoni, i cili përcolli edhe mesazhin e tij në këtë ditë të bekuar. Vangjel Bilbili 13 vjeç nga Elbasani ishte ai që kapi kryqin në ujë, duke personifikuar edhe një vit të mbarë dhe plot fat për të.

Edhe në Lezhë, dhjetëra besimtare katolikë ju bashkuan ritualit fetar ne katedralen e “Shën Nikollit”, ku u bë dhe bekimi i ujit, ndërsa meshtari bekoi familjet.

Për besimtarët e krishterë, dita e 6 Janarit simbolizon jo vetëm ditën e pagëzimit të zotit të tyre Jezu Krishtit, por edhe pastrimin e të gjitha ujërave të ndotur në mbarë botën, duke lajmëruar faljen e mëkateve dhe mëshirën e Perëndisë.