Të paktën 13 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri në një konvikt shkolle në Kinën qendrore.

Të gjithë të vdekurit ishin nxënës të klasës së tretë, tha një mësues në shkollën Yingcai për lajmet Zonglan, një media e mbështetur nga shteti nga provinca Hebei.

Sipas mediave shtetërore kineze, zjarri shpërtheu rreth orës 23:00 të së premtes në mbrëmje në shkollën Yingcai pranë qytetit të Nanyang, provinca Henan.

Autoritetet lokale thanë se përveç viktimave, një person ishte plagosur dhe po trajtohej në spital.

Autoritetet lokale po hetojnë shkakun e zjarrit, ndërkohë që një nga drejtuesit e institucionit ka përfunduar në pranga.

Sipas faqes WeChat të shkollës, shkolla u shërben kryesisht nxënësve të klasave fillore, megjithëse ka një kopsht fëmijësh të bashkangjitur.
Zjarret dhe aksidentet e tjera vdekjeprurëse janë të zakonshme në Kinë.