Njëri nga të rinjtë që iu erdhi në ndihmë dy turistëve zviceranë në malin e Korabit ka rrëfyer se iu është dashur 4 orë duke ecur në këmbë deri sa kanë mbërritur në vendin ku kishin mbetur. Ai thotë se ata kishin rënë në një shpat në kufi me Kukësin dhe se e patën shumë të vështirë për t’u dhënë ndihmën e parë.
“Më njoftoi axha. Më tha hajde sepse kanë humbur disa turista. U nisëm në këmbë për bjeshkë. Ora ishte 10. U nisëm, më lart nuk ecte makina se ishte bllokuar rruga. Ikëm në këmbë. Ishin dy policë të zonës. Na u desh 4 orë e gjysmë. Ishte shumë e vështirë, frynte shumë. I gjetëm me lokacion. Kishin pas rënë në një shpat, në kufi me Kukësin. Ishte shumë e vështirë nxjerrja nga orteku sepse ishte brinjë. Ne shkuam dhe iu dhamë ndihmën e parë i nxorrëm prej dëbore. Erdhën të Kosovës dhe iu dhanë ndihmën. Ajo vajza ishte shumë mirë ndërsa djali ishte keq. Ata i kishte zënë dëbora.”, tregoi njëri prej banorëve që iu erdhi në ndihmë turistëve.
Një tjetër banor që ishtë bashkë me grupin që ndihmoi turistët tha se ata ishin mbuluar komplet nga dëbora, vetëm fytyrat jo. “Ishin të mbuluar me dëbore, vetëm fytyrën e kishin jashtë. Me shumë vështirësi ndërhymë sepse kishte dëborë dhe ngrica.”, tregoi ai.