Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete, në një konferencë për mediat për bilancin e vitit 2023, theksoi se ekonomia shqiptare është vlerësuar nga FMN dhe Banka Botërore si një nga më rezistentet në rajon. Ai tha se ekonomia e vendit po hyn në një fazë të re zhvillimi.
“Viti që lamë pas ishte i mirë dhe pozitiv për ekonominë dhe financat dhe ndoshta fundviti i parë kaq i gjetë në termat e përballjes dhe krizave që kemi kaluar gjatë viteve të fundit. Shqipëria dhe ekonomia shqiptare vlerësohet nga FMN dhe Banka Botërore si një nga ekonomitë më rezistente dhe ecurinë më pozitive në rajon me pritshmëri për rritje të mëtejshme. Në fund të vitit të kaluar, morëm lajmin e mirë të daljes nga lista gri si rrjedhojë e progresit të shënuar nga vendi ynë në zbatim të rekomandimeve, zhvillim që sjell një sërë ndikimesh pozitive në aspektin reputacional ashtu edhe në lehtësimin e kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu Standart & Poors rishikoi në rritje perspektivën e Shqipërisë nga e qëndrueshme në pozitive për herë të parë pas 7 vitesh. Me ecurinë pozitive të ekonomisë, të ardhurat e larta, trendin ulës të borxhit dhe avancimin e procesit të negociatave drejt BE-së është hapur rruga për një kalim në një kategori më të lartë nga agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit. Kemi pasur ecuri shumë pozitive të negociatave, shprehur kjo edhe në raporton e progresit, ku veçanërisht një pjesë e mirë të kapitujve me ekonomi dhe finance kanë marrë vlerësime pozitive dhe në kapituj të caktuar, renditemi me vlerësimin më të lartë në rajon.”
Ekonomia po hyn në një fazë të re zhvillimi. Patëm një vit të jashtëzakonshëm turistik, nivele të larta të investimeve të huaja direkte, një performancë të mirë të të ardhurave dhe shifra në ulje të papunësisë. Kemi një turizëm thuajse gjithë vjetor, me mbi 10 milionë vizitorë, ku vlerësohet që për 9 mujorin e parë 2023, flukset hyrëse kanë qenë afro 3.2 miliardë euro, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Investimet e huaja direkte kanë pasur një trend rritës, duke e mbyllur 9 mujorin në nivelin 1.1 miliardë euro me rritje 10.6 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.”, theksoi Mete.
Sipas ministrit, papunësia ka zbritur në nivele të ulëta historike, prej 10.5% dhe tendenca është për rënie të mëtejshme poshtë 10% në periudhat në vijim.