Drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan Damian Gjiknuri i shoqëruar nga kryetari i bashkisë Gledian Llatja ka inspektuar nga afër ecurinë e punimeve për sistemimin e ujërave të zeza në lagjen Katund i Ri që u vjen në ndihmë mbi 250 familjeve, një prej zonave periferike të qytetit.

Gjatë fjalës së tij në takimin me banorët e zonës Gjiknuri u shpreh se punimet po ecin me ritëm të lartë dhe se ky investim është një premtim i mbajtur.

“Puna po ecën si duhet. Është një premtim i mbajtur i bashkisë.

Më vjen mirë se ajo çfarë kemi thënë po e mbajmë. Kjo ka qenë motoja e fushatës që ta bëjmë Elbasanin me të gjithë rrethinat një zonë të urbanizuar. Besoj se në këtë mandat kjo do të realizohet plotësisht nëpërmjet drejtimit të Gledit por edhe të gjithë këtij ekipi politik që përditë punon për të mirën e qytetarëve.”

Gjiknuri theksoi gjithashtu se “Bypass-i” i Elbasanit, një prej investimeve më të rëndësishme në infrastrukturë prek edhe Katundin e Ri gjë që do sjellë zhvillim për këtë zonë.

“Kjo është një tjetër zonë e cila po i nënshtrohet një ndërhyrjeje, pjesë e atij investimi të madh që po bën ndërmarrja e Ujësjellës – Kanalizimeve në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe bashkinë. Janë gati 20 milion euro investime në kanalizime dhe ujësjellës.

Kjo zonë është një zonë shumë strategjike për Elbasanin.Në të ardhmen këtu do të kalojë dhe “Bypass-I” i Elbasanit. I gjithë Katundi i ri do të jetë një nga zonat që do shërbejë si një nyje e rëndësishme transporti që do të sjellë zhvillim.

Kjo pjesë e rëndësishme e urbanizimit është ajo ç’ka duhet të bëjë bashkia dhe qeveria.”