Tre ushtarë amerikanë mbetën të vrarë dhe më shumë se 30 personel i ushtrisë u plagosën, pasi militantët e mbështetur nga Irani ndërmorën një sulm me dron në një bazë ushtarake të Ushtrisë Amerikane në Jordani. Droni ra pranë zonës së banimit të bazës, e cila ndodhet pranë kufirit me Sirinë. Sipas asaj që shkruan CNN, që citon zyrtarë të Ushtrisë Amerikane, numri i të plagosurve pritet që të rritet, pasi ata vijojnë të kërkojnë trajtim mjekësor.

Çfarë dihet deri më tani:

Frika për një luftë më të gjerë: Vdekja e ushtarëve është e para në radhët e Ushtrisë Amerikane në Lindjen e Mesme që nga nisja e luftës në Gaza, ndërsa presidenti amerikan Joe Biden u zotua se përgjegjësit do të marrin ndëshkimin e merituar, “në kohën dhe mënyrën që ne do ta vendosim”.

Sulmi vjen pas disa javësh që SHBA është angazhuar për të parandaluar përhapjen më të gjerë të konfliktit në rajon. Vendi ku ndodhi sulmi: Sulmi ndodhi në Kullën 22 (Tower 22), një bazë e vogël pranë kufirit me Sirinë. Forcat e Ushtrisë Amerikane në këtë bazë janë pjesë e një misioni “këshillo dhe asisto” me Jordaninë. Mbetet e paqartë përse mbrojtjet ajrore dështuan që të kapnin dronin, në sulmin e parë që dihet mbi Kullën 22, qëkur nisën sulmet mbi SHBA dhe aleatët më 17 Tetor. Të tjera detaje nga Shtëpia e Bardhë: Biden u njoftua për vdekjet mëngjesin e së dielës në Karolinën e Jugut, ku ndodhet për fushatën presidenciale.

Zv/presidentja Kamala Haris reagoi gjithashtu për sulmin, duke thënë se ajo dhe bashkëshorti janë të hidhëruar për humbjen e ushtarëve që u vranë në “një sulm të përbuzshëm nga grupet militante të mbështetura nga Irani”.

Ligjvënësit amerikanë bëjnë thirrje për sulme: Senatori Roger Wicker, një prej zyrtarëve kryesorë në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura në Senatin Amerikan, i bëri thirrje administratës Biden për sulme “të drejtpërdrejta” kundër objektivave iraniane dhe liderëve të tyre. Edhe senatori tjetër republikan Mike Rogers kërkoi nga Biden që Irani dhe ndjekësit e tij, të mbahen përgjegjës. Ndërsa senatorja republikane Lindsey Graham e sulmoi Biden duke thënë se politika e administratës së tij për të mos lejuar përhapjen edhe më gjerë të konfliktit ka dështuar në mënyrë të mjerueshme dhe bëri thirrje për sulm ndaj objektivave brenda Iranit.

Sulmet e mëparshme: Kohët e fundit ka pasur shumë sulme mbi SHBA dhe forcat aleate në Irak dhe Siri, duke plagosur me dhjetëra. Pentagoni më herët i ka klasifikuar këto sulme si “të vogla”, përveç plagosjes së rëndë të një ushtari amerikan në një sulm në Irak ditën e Krishtlindjes.