GJKKO ka zbardhur sot vendimin për ish-kryeministrin Sali Berisha.Mësohet se raporti pritet që t’i përcillet më pas Berishës, ndërsa më herët janë kontaktuar avokatët e tij për ta tërhequr.

Në material thuhet “Duke marrë parasysh funksionin e të hetuarit Sali Berisha, si politikan, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, referuar opinionit Nr. 18 (2015) të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë, mbi pozicionin e gjyqësorit dhe lidhjen e tij me pushtetet e tjera të Shtetit, citohet se “Politikanët duhet të tregojnë përmbajtje dhe të mos përfitojnë nga pozita e tyre dominuese e mundshme në institucionet shtetërore për të heshtur kritikat, veçanërisht duke përdorur procedurat civile ose penale kundër kritikëve; këto procedura në mënyrë të pashmangshme kanë efekte prapësuese në vullnetin e njerëzve dhe të mediave për të shprehur pikëpamjet për çështje me interes publik. Politikanët duhet që në parim, të ruajnë besimin e popullit në institucionet demokratike dhe të shmangin përdorimin e argumenteve demagogjike kundër vendimeve të gjykatave, sulmojnë gjyqtarë individualë ose inkurajojnë mosbindje ndaj vendimeve gjyqësore…”

GJEDNJ ka theksuar se mbrojtja e shtuar, nga e cila përfiton fjalimi politik në një shoqëri demokratike, gjithashtu rrit detyrat dhe përgjegjësitë. Kështu, ashtu si politikanët në mënyrë të pashmangshme dhe me vetëdije dalin në mënyrë të hapur për shqyrtimin e fjalëve dhe veprimeve të tyre nga gazetarët dhe publiku në përgjithësi, ata duhet të shfaqin një shkallë më të madhe të tolerancës. Politikanët, duke përdorur të drejtën e tyre të lirisë së shprehjes, shpesh mund të bëjnë deklarata publike që janë të ndjeshme ndaj kritikës ose synojnë të jenë provokuese dhe të ngjallin reagime të forta.

Për sa më sipër, gjykata çmon të nënvizojë diferencimin midis funksionit të të hetuarit Sali Berisha, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë (e në këtë kuadër dhe lirisë së shprehjes politike të tij) dhe pozitës së tij proceduriale në këtë proces penal, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal.

Megjthatë, fjalimet politike, edhe kur mbrohen nga neni 10 i KEDNJ , mund të kufizohen në përputhje me paragrafin e dytë të kësaj dispozite, sipas të cilit mund të vendosen kufizime në lirinë e shprehjes në rastin kur ato janë të përcaktuara me ligj dhe të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike ose për mbrojtjen e reputacionit ose të drejtave të të tjerëve. Ndërkohë që GJEDNJ ka konstatuar vazhdimisht se ka pak hapësirë për kufizime në fjalimet politike apo debatin e çështjeve me interes publik duke theksuar se: “toleranca dhe respekti për dinjitetin e barabartë të të gjithë qenieve njerëzore përbëjnë themelet e një shoqërie demokratike, pluraliste. Duke qenë kështu, në parim, mund të konsiderohet e nevojshme në disa shoqëri demokratike të sanksionohen apo edhe të parandalohen të gjitha format e shprehjes që përhapen, nxisin ose justifikojnë urrejtjen e bazuar në intolerancë, me kusht që ‘formalitetet’, ‘kushtet’, ‘kufizimet’ ose ‘gjobat’ e vendosura janë në proporcion me qëllimin legjitim të ndjekur”.

Gjykata rithekson gjithashtu se duhet të merret parasysh nevoja për vendosjen e ekuilibrit të duhur midis interesave të ndryshme të përfshira. Për shkak të kontaktit të tyre të drejtpërdrejtë, të vazhdueshëm me realitetin e vendit, gjykatat e një shteti janë në një pozitë më të mirë se çdo gjykatë ndërkombëtare për të përcaktuar se si, në një kohë të caktuar, mund të vendoset një balancë e drejtë. Për këtë arsye, në çështjet sipas nenit 10 të Konventës, shtetet kontraktuese kanë një kufi të caktuar vlerësimi për të përcaktuar nevojën dhe qëllimin e çdo ndërhyrje në lirinë e shprehjes të mbrojtur nga ky nen.”

Në vendimin që disponon Anila Hoxha, thuhet me tej, “Gjatë gjykimit rezultoi e provuar se ka qenë pikërisht ky i fundit i cili nuk ka zbatuar në mënyrë të qëllimshme urdhërimet e gjykatës, duke mos përmbushur kështu detyrimet e tij në zbatim të këtij vendimi”, mbi këto arsyetime Berishës ju ashpërsua masa.