Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në një konferencë për mediat dha detaje për finalizimin e operacionit Tempulli. “Siç jeni në dijeni, Policia e Shtetit, gjatë vitit 2023, ndoqi një strategji të mirëstudiuar për të parandaluar dhe goditur krimin, strategji e cila u bazua në analizën e fenomeneve kriminale kombëtare që cenojnë jetën, shëndetin dhe pronën e qytetarëve.
Mbi bazën e këtyre analizave të detajuara u hartuan planet operacionale kombëtare të koduara “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”. Plani operacional kombëtar “Tempulli” kishte për qëllim goditjen frontale të tentativave për të shitur lëndë narkotike në afërsi të shkollave, duke bërë pre nxënësit dhe të rinjtë.
Falë këtij plani kombëtar, pavarësisht goditjeve të herëpashershme të shtetasve që ushtronin veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, megaoperacioni “Tempulli”, në finalizimin e fazës së parë të tij, çoi para drejtësisë rreth 300 shtetas që siguronin lëndën narkotike kanabis, kokainë dhe heroinë, furnizonin grupet që i shpërndanin këto lëndë, si dhe shumë prej atyre që shpërndanin lëndët narkotike, në doza.
Gjatë fazës së parë të këtij megaoperacioni u goditën 24 grupe kriminale, ku tashmë ju jeni njohur me rezultatet nga kjo fazë.
Po mbi bazën e këtyre analizave u zhvillua dhe vijon megaoperacioni kombëtar “Sundimi i ligjit”, që synon goditjen e armëmbajtjes pa leje, kapjen e shtetasve në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, goditjen e kontrabandës dhe krimeve të tjera ekonomiko-financiare, sekuestrimin e aseteve kriminale, parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, të krimeve mjedisore, atyre ndërkufitare etj. Deri tani, në kuadër të këtij megaoperacioni, janë kapur dhjetëra shtetas në kërkim ndërkombëtar apo kombëtar dhe janë goditur qindra raste të paligjshmërisë në fusha të ndryshme, kryesisht të armëmbajtjes pa leje, kontrabandës, por më kryesorja janë parandaluar dhjetëra ngjarje të rënda kriminale, duke sjellë si rezultat numrin më të ulët të vrasjeve përgjatë 3 dekadave të fundit.
Me finalizimin e fazës së parë të megaoperacionit “Tempulli” dhe futjen e Paketës së re për Sigurinë në shkolla, u bë e mundur që ky fenomen kriminal të largohej disi nga territoret e afërta të shkollave. Tashmë kemi shkolla të pastra e të sigurta, pavarësisht se ka tentativa për t’iu afruar përsëri territoreve të afërta të shkollave.
Megaoperacioni “Tempulli” vijoi pa ndërprerje edhe pas finalizimit të fazës së parë, duke goditur përditë në të gjithë vendin, rastet e tentativave për shpërndarje të lëndëve narkotike në afërsi të shkollave.
Trafikantët dhe shpërndarësit e lëndëve narkotike, të gjendur përballë trysnisë së Policisë dhe implementimit të masave shtesë për sigurinë në shkolla, e zhvendosën veprimtarinë e tyre kriminale në rrugica, lagje, lokale dhe zona urbane e rurale, duke bërë pre të rinjtë.
Bazuar në inteligjencën policore, u regjistruan dhe u nisën shumë procedime penale në Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm në të gjithë vendin. Gjej rastin të falënderoj Prokurorin e Përgjithshëm, drejtuesit e Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm në të gjithë vendin dhe prokurorët e angazhuar direkt për ndjekjen e 66 procedimeve proaktive. Nga ndjekja e këtyre procedimeve me metoda proaktive u siguruan prova për persona dhe grupe kriminale që kryenin veprimtari të sigurimit, furnizimit dhe të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Në këtë kuadër, mëngjesin e sotëm, u finalizua faza e dytë e megaoperacionit kombëtar të koduar “Tempulli 2”.
Në të gjithë vendin, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, në bazë të provave të siguruara nga 66 procedime proaktive të ndjekura ng Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokuroritë respektive, u siguruan 299 masa sigurie dhe 306 vendime kontrolli. Nga ky operacion u arrestuan dhe u ndaluan 273 shtetas, u shpallën në kërkim 26 shtetas dhe u goditën anëtarë të 7 grupeve kriminale.
Gjatë kësaj faze të operacionit “Tempulli 2”, u sekuestruan: 7.5 kilogramë kokainë, 560 kilogramë kanabis, një sasi heroine, 10 armë zjarri, 16 armë gjahu, 3 armë sportive, 9 armë të ftohta, municion luftarak i kalibrave të ndryshëm, 2 granata dore, 1 jelek antiplumb, 184 celularë, 40 automjete, 11 peshore elektronike dhe shuma të konsiderueshme parash (lekë, paund dhe euro).
Ndërkohë vijon me intensitet megaoperacioni “Sundimi i ligjit”, për të garantuar punën rigoroze dhe në vijimësi të Policisë së Shtetit, mbi çdo lloj paligjshmërie, me qëllim ndërtimin e një ambienti sa më të sigurtë për qytetarët, turistët dhe vizitorët e shumtë të vendit tonë.
Dua të siguroj qytetarët se Policia e Shtetit ka angazhuar specialistët më të mirë të hetimit të krimit dhe në bashkëpunim me prokuroritë respektive dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, po punohet intensivisht për zbardhjen e disa ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura gjatë vitit 2023 dhe në fillimin e këtij viti, si dhe janë rihapur dosjet e vjetra kriminale për t’u rihetuar, bazuar në informacione dhe prova të reja të siguruara për autorësinë e tyre.
Njëkohësisht Policia e Shtetit është përfshirë në procesin më të rëndësishëm, atë të vetëpastrimit të radhëve të saj nga elementet e inkriminuar që njollosin uniformën e shenjtë të Policisë dhe vrasin besimin e qytetarëve, të aleatit tonë më të çmuar, sepse pa mbështetjen e besimin e qytetarëve asnjëherë nuk mund të përmbushim me sukses detyrat tona në drejtim të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së paligjshmërive.
Faleminderit dhe medias, për pasqyrimin e punës së strukturave të Policisë në të gjithë vendin, dhe për oponencën e tyre. Përfitoj nga rasti të ftoj edhe një herë qytetarët, të rinjtë, nxënësit e përfaqësuesit e mediave, që të bashkëpunojnë edhe më shumë me Policinë, e cila punon e sakrifikon përditë për të mirën e përgjithshme”, tha Rrumbullaku.
Ndërkohë ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi se nuk ka pasur asnjë dekonspirim në këtë operacion.
“Kemi arritur të finalizojmë një fazë të dytë të operacionit kombëtar Tempulli, ka qenë një operacion i madh në shkallë kombëtare, nuk ka pasur asnjë rrjedhje të operacionit. Numri i madh i urdhave të ndalimit nga prokuroria janë realizuar me sukses. Një pjesë e forcave të policisë janë në terren për të vijuar operacionin” tha Balla.