Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka nisur turin 3-ditor rajonal me vizitën në Kosovë.Në konferencën për shtyp me homologen e Kosovës, Donika Gërvalla, Hasani tha se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ishte akt terrorist dhe se Shqipëria e ka dënuar ashpër.
Nga ana tjetër Hasani shprehu mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën, ndërsa tha se fqinjit nuk i çohet më ushtri në kufi.
“Siguria dhe stabilteti janë më të kërcënuara se sa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit. Kemi dënuar sulmin e 24 shtatorit. Ky sulm ishte një akt kriminal kundër stabilitetit pavarësisë ligjit dhe rendit të Kosovës. Autorët organizatorët duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë për të mos lejuar një përshkallëzim më tej të situatës”, tha Hasani.
Nga ana tjetër ministrja Gërvalla tha se masat ndaj Kosovës janë të padrejta, ndërsa kërkoi nga BE që ta ulë Serbinë në tavolinën e diskutimit dhe të pranojë të nënshkruajë draftin e ri për asociacionin.
“Masat janë të padrejta dhe të pakuptueshme për shkak se asnjë diplomat evropian nuk është në gjendje që të japë një vlerësim normal. Ka një konfuzion mes diplomatëve evropiane se kur konsiderohet shtensionim. Ne mendojmë se masat ndaj Kosovës të padrejta dhe të pakuptueshme nuk mund të ndihmojmë për të heshtur rreth faktit se tani topi ka kaluar te BE-ja dhe duhet të sjellin tavolinë Serbinë për të nënshkruar marrëveshjet që janë lidhur gjatë vitit të kaluar. Topi që është te BE-ja duhet të lëvizë. Kosova e kemi ngritur vazhdimisht zërin ku kemi mundur me qëllim që procesit të ketë një shans. Raporti për 24 shtatorin është i qartë dhe ka ardhur koha që BE të thotë fjalën e vet rreth asaj që ka ndodhur në Bansjkë. Nuk është sekret dhe e dimë që ja larg kufirit me Kosovën janë duke u trajnuar grupe të tjera”, tha Gërvalla.
Më pas Hasani do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Glauk Konjucfa e zv.Kryeministri Besnik Bislimi. Po ashtu, ministri ka planifikuar takime edhe me krerët e partive politike, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e Memli Krasniqi. Në axhendë nuk është planifikuar takim me kryeministrin Albin Kurti, pasi ky i fundit ndodhet në Davos për forumin ekonomik.
Pas vizitës në Kosovë, Hasani do të shkojë në Shkup dhe më pas të enjten në Mal të Zi.