Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se, vendi ynë ka një projekt për të forcuar pasaportën shqiptare.
Në një intervistë në emisionin “Opinion” ku foli për forcimin e pasaportës shqiptare, e cila renditet e 42-ta në botë , Hasani u shpreh se, “ka qenë një nga gjërat e para që kam thënë që në orën e parë që kam hyrë në MEPJ që ne duhet të ndryshojmë komplet perceptimin e përdorimit të pasaportës shqiptare në botë. Dhe kjo nuk është një gjë e thënë vetëm politikisht, por është një gjë që duhet bërë në mënyrë pragamatike”.
“Kemi një projekt të caktuar. Kemi një plan të caktuar. Kemi një logjikë të caktuar”, tha Hasani. “Në 1991 Shqipëria ka qenë vendi që ka pasur pasaportën më të dobët në botë”, theksoi Hasani. Ai u shpreh se, Serbia apo vende të tjera të ngjashme me të kanë një raport krejt tjetër në krahasim me Shqipërinë me vende në Afrikë.
“Kjo është arsyeja që ne po përpiqemi me një plan shumë të qartë që këtë gap evident ne ta zvogëlojmë në maksimum. Janë shumë faktor që ndikojnë. Nuk janë vetëm faktorët e marrëdhënieve të përjetshme bilaterale, por janë edhe arsye që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin turistik të vendit. Është momenti më i mirë që Shqipëria, që është kthyer në një destinacion turistik, të shfrytëzojë në maksimum këtë potencial që ka, në të kundërt, që shqiptarët , shtetasit e saj të udhëtojnë si turistë, por dhe si partnerë të mundshëm biznesi me kompanitë e vendeve të ndryshme”, u shpreh Hasani.
Sa i përket kontinentit afrikan, Hasani u shpreh se, Shqipëria ka ambasadë vetëm në Egjipt, teksa së shpejti pritet të hapet ambasadë edhe në Kenia. “Gjëja konkrete që do të nisë që këtë vit dhe besoj që do ta hapim shumë shpejt ambasadën në Kenia. Kenia është një nga vendet sub-ekuatoriale në Afrikën Lindore dhe do të mbulojë një pjesë të mirë. Nairobi është një nga 4 selitë e OKB. Është pranë Etiopisë ku gjendet Unioni afrikan dhe do të krijojë komplet dinamikë tjetër në marrëdhënie me shumë vende të Afrikës”, u shpreh ai. Hasani shtoi se, “ne duhet ta përafrojmë listën e vendeve me liri vizash me BE-në”.