Rikthehet frika e fruthit në Europë. Sëmundja ngjitëse që mund të shkaktojë probleme të rënda shëndetësore, e madje edhe vdekje, po vazhdon të përhapet me shpejtësi në kontinentin e vjetër, kryesisht në ato vende ku niveli i vaksinimit ka rënë.
Në vendin tonë është konfirmuar prania e fruthit, rastet me fruth ndodhen në Tiranë dhe në Durrës.
Fruthi është sëmundje ngjitëse virale, e cila, nëse nuk trajtohet, mund të çojë në komplikime serioze shëndetësore. Çdo njeri mund të preket me fruth nëse nuk është vaksinuar ose nëse nuk e ka pasur më parë këtë sëmundje.

E ftuar në Vila24 mjekja pediatre Sonila Brati bën thirrje prindërve të kenë kujdes nga temperatura e lartë dhe të vaksinojnë të vegjëlit e tyre.

“Prindërit duhet të kenë kujdes pasi fruthi nuk është një patologji si çdo virozë tjetër që një fëmijë mund të ketë por ka simptoma të caktuara dhe specifike, është një patologji që shkakton ndërlikime që mund të jenë fatale dhe të riskojnë jetën. Më të riskuara janë moshat patologjike që nuk janë vaksinuar, por preken dhe mosha të tjera që mund të jenë vaksinuar por në këtë rast e kalojnë fruthin me lehtësi. Nëse fëmijët kanë temperaturë të shoqëruar me kollë prindërit duhet të drejtohen te mjeku pediatër, pra nëse kanë temperaturë 39-40 gradë në 24 orët e para prindërit duhet të shkojnë në spital pasi përveç fruthit janë duke qarkulluar dhe viroza të forta. Të gjithë prindërit duhet të vaksinojnë fëmijët e tyre”- tha Brati për News24