Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar ankimin e deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhit për të hequr sekuestron ndaj telefonit të saj, të sekuestruar në kuadër të hetimeve që po kryhen nga SPAK, për lobimin e LSI-së në SHBA.

Gjyqtarja Igerta Hysi la në fundi vendimin e GJKKO-së të datës 7 dhjetor për sekuestro të telefonit të markës Iphone të deputetes Monika Kryemadhi.

‘Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Igerta Hysi, sot më 04.01.2024, ora 09:30, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 189 akti, datë 27.12.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses M.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 481, datë 07.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, që ka rrëzuar kërkesën e shtetases M.K. për heqjen e sekuestros dhe kthimin e sendit të sekuestruar (telefon i markës Iphone)”, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 481, datë 07.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.’-njofton apeli i GJKKO-së.

Kujtojmë se në lidhje me hetimet për lobimin, më 21 korrik të vitit të kaluar, ish-kryetari i LSI-së, sot Partia e Lirisë, Petrit Vasili, u thirr nga SPAK, ndërsa në prill të 2023 ishte thirrur edhe Endrit Braimllari, ish-deputet i LSI-së.
Hetimet e SPAK, nisën për korrupsion dhe falsifikim dokumentesh, pa emër personi të dyshuar, pas kallëzimit të ish deputetit Halit Valteri, që akuzoi partinë e drejtuar asokohe nga Ilir Meta, se ka paguar 700 mijë dollarë për lobimin në SHBA, përfshirë vizitat në SHBA edhe një foto me ish-presidentin republikan Donald Trump.

Më 16 maj të vitit 2022, gazeta austriake “Kronen Zeitung” publikoi një artikull ku theksoi se Meta pagoi 700 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote për të siguruar foton në ceremoninë e inaugurimit të Trump.