Babai i Ibrahim Licit, Mustafa Lici, ishte këtë të mërkurë në SPAK. Pas marrjes në pyetje ai deklaroi për mediat se është pyetur në cilësinë e personit në dijeni.
Mbetet e paqartë se për çfarë është marrë në pyetje babai i të kërkuarit si i dyshuar për vrasje pasi vetë Mustafa Lici refuzoi të tregonte se për çfarë çështje ishte thirrur.
“Këtë radhë pas një ambient shumë të bukur në SPAK. Nuk i pash më metodat që ishin dikur. Më pyetën për disa probleme për të cilat nuk mund t’ju shpjegoj. Nuk kishte lidhje me operacionin absolutisht. Më pyetën dhe dhashë përgjigjet e mia. Jam pyetur si person që mund të ketë dijeni për diçka”,-tha Mustafa Lici.
Kujtojmë se Ibrahim Lici është përmendur në dosjen “Metamorfoza” ku thureshin plane për ta ekzekutuar.
Ibrahim Lici akuzohet gjithashtu si i përfshirë në të paktën tri vrasje në qytetin e Shkodrës, përfshirë edhe vëllezërit Bilali, ngjarje e ndodhur më 30 maj të vitit 2019.
Lici është në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës.