Autoriteti Rrugor Shqiptar, edhe pse nuk ka asnjë kacidhe për zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës, po e trumbeton atë si projektin më të rëndësishëm infrastrukturor të 2024-ës. 218 milionë euro pritet të kushtojë zgjerimi i rrugës, për të cilën ARRSH pretendon se 20 milionë janë të parashikuara në buxhet. Verifikimi i Faktoje tregon se në fakt buxheti 2024 nuk parashikon asnjë financim për aksin Tiranë-Durrës. Ky është rasti tipik i shprehjes ‘peshku në det dhe tigani në zjarr’.

Nga Esmeralda Topi

Qeveria i është rikthyer planeve për zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës. Shndërrimi i segmentit në një autostradë më katër korsi thuhet se do të përballohet nga buxheti i shtetit. Dhe kalimi i automjeteve do të jetë pa pagesë.

“Në buxhetin e vitit 2024 ne kemi parashikuar 2 miliardë lekë që do të investohen për 5 km e para të Tiranë-Durrës.”, deklaroi drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi gjatë një interviste televizive fundvitin e kaluar.
Verifikimet e Faktoje tregojnë se projekti i trumbetuar si më i rëndësishmi për 2024, nuk është i planifikuar në buxhet.

Lista e detajuar e projekteve të investimeve publike 2024-2026 nuk përfshin asnjë lloj financimi për zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës. 2 miliardë lekët që Berberi pretendon se janë të buxhetuara, për momentin janë thjesht një dëshirë e shprehur publikisht. Por pavarësisht këtij fakti edhe institucioni që ai drejton, insiston të kundërtën. Autoriteti Rrugor thotë se paratë janë në buxhet dhe këtë vit do të nis faza e parë e punimeve. “Gjatë fazës së parë do të zgjerohen 5.8 km. Vlera e financimit për këtë fazë 2 mld / lekë e parashikuar në buxhetin e shtetit të vitit 2024.”, informoi ARRSH për Faktoje.

Veprat duan para, jo fjalë

Edhe pse nuk ka një datë të qartë për nisjen e punimeve, Autoriteti Rrugor Shqiptar llogarit se projekti për zgjerimin e 38 km nga Tirana në Durrës kërkon 218 milionë euro. Punimet do të ndahen në disa faza. Ndërhyrja e parë përfshin segmentin nga kthesa e Kamzës deri tek mbikalimi i Rinasit.

“Gjatë fazës së parë do të zgjerohen 5.8 km. Gjerësia aktuale është 18.6 m dhe ajo përfundimtare bashkë me zgjerimin shkon në 35.1 m”, sqaron Autoriteti Rrugor.
Rruga e ndërtuar në 2001, tani numëron trefishin e trafikut të planifikuar. Për këtë arsye, ekspertët e vlerësojnë të domosdoshme ndërhyrjen.

“Zgjerimi i rrugës është i nevojshme, por problematikën më të madhe unë e shoh në hyrje – daljet e këtij segmenti. Pra, fillimi dhe mbarimi i saj, sa do ta përballojnë sepse shkojmë në grykë shisheje dhe çfarë fituam? Asgjë. Ndaj plani i zgjerimit duhet të përfshijë me patjetër hyrjet dhe daljet në rrugët dytësore”, thotë inxhinier Fatmir Haxho. Nëse sigurohet financimi i deklaruar, vetëm për fazën e parë (2024) punimet do të zgjasin dy vite (2026). Ndërkohë që afati për përfundimin e plotë të veprës është në pikëpyetje sepse varet nga buxheti.

“Financimi do të vazhdojë në vite bazuar në buxhetin e shtetit. Koha për përfundimin e plotë varet nga financimi që do jetë ndër vite nga buxheti i shtetit”, argumenton Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Nuk përjashtohet kalimi me pagesë

Planet për zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës nuk janë të reja. Ndërhyrja në rrugën Tiranë-Durrës është rikthyer në publik shtatë vite pas një plani për ta dhënë me koncension.

Aso kohe, dhënia me koncension e këtij aksi u parapri nga një projekt i Autoritetit Rrugor Shqiptar për zgjerimin e saj nga dy në tre korsi. Projekti i ARRSH-së në 2016 ishte i ndarë në tre lote; Kamzë- Vorë, Vorë –Sukth dhe Sukth –Durrës. Segmenti nga mbikalimi i Kamzës deri në Vorë përbënte lotin e pare. Projekti parashikonte 3 korsi kalimi për secilën anë të rrugës dhe një zonë me trafikndarëse 2,6 metra të gjerë.

Gjurma e këtij projekti prekte 19 fshatra të Tiranës dhe Durrësit. Zgjerimi do të kalonte në një sipërfaqe tokë bujqësore prej rreth 752 mijë metrash katrorë, me vlerë rreth 3.5 milionë euro. Po ashtu, gjurma e projektit llogaritej të shtrihet në rreth 68 mijë metra katror tokë truall, me vlerë 4 milionë euro, e cila do të shpronësohej nga qeveria.

Por teksa ARRSH planifikonte zgjerimin, qeveria kishte shpenzuar miliona euro me projekte të ndryshme për këtë rrugë. Pjesë e tyre ishte dhe mbjellja e palmave në të dy anët e segmentit.

Në 2014 qeveria shpenzoi 2 milionë euro për rehabilitimin e pjesës hyrëse të rrugës Tiranë-Durrës. Një dekadë më vonë, ndërhyrja pritet të fillojë sërish këtu.
Këtë herë, referuar deklaratave publike, në plan nuk përfshihet dhënia me koncension. Mirëpo, dokumentat tregojnë të kundërtën.

“Përmirësimi i planifikuar i autostradës aktuale ndërmjet Tiranës dhe Durrësit do të përfshijnë një sistem pagese, ndaj duhet të ofrohet një rrugë alternative . Për këtë qëllim rruga që lidh dy qytetet përmes Ndroqit dhe Plepave duhet të zgjerohet” shkruhet në një dokument të ARRSH.

Përfundim

Tirana dhe Durrësi janë 46 minuta larg, por pa asnjë dyshim që distanca prej 38 kilometrash mes dy qyteteve, na merr të gjithëve më shumë kohë. Rruga e ndërtuar dy dekada më parë aktualisht numëron trefishin e trafikut të planifikuar. Zgjerimi i kësaj rruge kërkon 218 milionë euro, por Autoriteti Rrugor Shqiptar ende s’ka siguruar shumën e parë për nisjen e punimeve. Planet për ta bërë rrugën Tiranë-Durrës një autostradë më katër korsi kërkojnë para dhe jo fjalë. Ndaj, deklaratën e drejtorit të ARRSH Evis Berberi se “Në buxhetin e vitit 2024 ne kemi parashikuar 2 miliardë lekë që do të investohen për 5 km e para të Tiranë-Durrës”, do të kategorizojmë të pavërtetë.