Foto: Ushtarët ukrainas lëshojnë një raketë Javelin gjatë stërvitjeve ushtarake në rajonin e Donjeckut, 23 dhjetor 2021

Sipas Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri, në pakon mbrojtëse që Kosova ka bërë kërkesë të blejë, përveç 246 raketave Javelin FGM-148F – përfshirë gjashtë raketa testuese që i dërgohen blerësit kur të pranojë dërgesën – janë edhe 24 njësi për lëshimin e raketave Javelin, si dhe udhëzues të tjerë për përdorimin e raketave, dhe pajisje përcjellëse.

Si funksionon Javelin?

Sistemi i raketave anti-tank ka hyrë në shërbim në vitin 1996, por që atëherë është avancuar vazhdimisht.

Koka luftarake e Javelin-it mund të shkatërrojë tanke moderne, duke i goditur nga lart, ku armatura e tyre është më e hollë.

Dizajni i tij “qëllo dhe harro” përdor udhëzim automatik, që i lejon përdoruesit të kërkojë strehim, menjëherë pas sulmit.

Kompanitë që prodhojnë Javelin

Sipas kësaj agjencie, kontraktorët e kësaj marrëveshjeje do të jenë kompanitë që prodhojnë raketat Javelin, Lockheed Martin dhe Raytheon Missiles and Defense.

“Shitja e propozuar e këtyre armëve do të përmirësojë aftësitë mbrojtëse të Kosovës, në terma afatgjatë, për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial dhe që të përmbushë kërkesat e saj të mbrojtjes kombëtare. Kosova nuk do të ketë vështirësi që të përfshijë këto pajisje në forcat e saj të armatosura”, tha Agjencia për bashkëpunim në siguri.

Më herët gjatë 11 janarit, nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës i thanë Radios Evropa e Lirë se blerja e raketave Javelin është paraparë në kuadër të ngritjes së kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“FSK-ja është duke i ngritur kapacitetet e saj ushtarake, dhe, në këtë aspekt, ekziston një marrëveshje ushtarake e nënshkruar mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që funksionon në kuadër të programit FMS, që blerjet të realizohen nëpërmjet këtij programi. Dhe, në këtë aspekt, janë të përfshirë edhe raketa Javelin dhe disa sisteme të tjera moderne të armatimit”, ka thënë Liridona Gashi, këshilltare politike e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Në muajt e fundit, ushtria serbe disa herë ka lëvizur trupat drejt kufirit me Kosovën, kufi që ruhet nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, teksa u regjistruan disa incidente në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – përfshirë edhe një sulm të armatosur nga një grup serbësh ndaj Policisë së Kosovë në Banjskë të Zveçanit.