Me bindjen se ky vit i ri do të jetë më i suksesshëm në turizëm se sa ai që lam pas, Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro gjatë analizës vjetore për institucionin që ajo drejton, tha se fokus do të jetë turizmi elitar. Për këtë të fundit në funksion do të jenë edhe 17 hotelet e ndërtuara apo në ndërtim, të brendeve ndërkombëtare.
“Jo më larg se dje mora një e-mail nga drejtuesit e shoqatës së turoperatorëve, të kompanive turistike, agjencive të udhëtimit, të kompanive fluturimi brikanike “ABTA” që është shoqata më e madhe me aktivitetet rreth 70-vjeçar, të cilët më njoftuan se në raportin e fundit që kanë nxjerrë dje në Britani, në 10 destinacionet që sugjerohen për vitin 2024 dhe më tej, një prej tyre është Shqipëria.
Operacioni plazhe të pastra tha Kumbaro do të vijoje dhe për 2024, ku edhe përqëndrohet numri më i lartë i vizitorëve.
“Në lidhje me pastrimin, vazhdojmë operacionin “Plazhe të pastra”, vitin 2022 e nisëm me dyfishimin e frekuencës pastruese në vijën bregdetare të Durrësit, Kavajës, Himarës e Sarandës. Në vitin 2023 shtuam Rogozhinën dhe Vlorën dhhe për vitin 2024 numri i bashkive që do të mbështeten me një operator suplementar nga AKB, nga qershori deri në shtator, shkon në 8, sepse shtohen në këtë skemë Shkodra me plazhin e Velipojës dhe plazhet e Lezhës”.
Ndër sukseset e turizmit për vitin 2023, ministrja Kumbaro përmendi edhe promovimin e 1100 eventeve e 25 mijë shkarkimeve të aplikacionit TEA i ndërtuar si një kalendar, i cili këtë vit do vije me disa risi.
“Ky kalendar digjital eventesh të kthehet në një “One Stop Shop” i cili përveç promovimit të sigurojë edhe ndërlidhje mes bizneseve.
Përveç turizmit, Kumbaro foli edhe për mjedisin, ku tha se pritet të ketë një vlerësim për zonat e mbrojtura të cilat u vizituan nga 4.5 milionë nejrëz.
Në mbyllje të konferencës, ministrja Kumbaro tha se viti 2024 do t’i kushtohet pyjeve, me fushata pyllëzimi, ndërgjegjësimi dhe edukimi.