Automjetet apo pronat e konfiskuara nga krimi nuk do të nxirren më në ankand, por do të përdoren për nevojat e strukturave të Policisë së Shtetit. Lajmi njoftohet nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili përmes një reagimi bën me dije se automjetet e sekuestruara nga anëtarë të grupeve kriminale do t’i kalojnë Policisë së Shtetit për të përmbushur nevojat e saj.
“Mjetet luksoze të cilat përdoreshin nga anëtarë të organizatave kriminale, të konfiskuara, apo edhe të sekuestruara, do t’i kalojnë Policisë së Shtetit për të përmbushur nevojat e saj. Mjetet e shpejta do të përdoren nga Policia Rrugore, ndërsa mjete të tjera do t’i kalojnë Repartit RENEA për operacionet e tyre. Mjete apo prona të paluajtshme të krimit apo korrupsionit, të konfiskuara, nuk do të nxirren më në shitje, për të parandaluar rikthimin e tyre tek të njëjtët, por do të përdoren për nevoja të shtetit”, thekson ai.
Strukturat e drejtësisë në vend konfiskojnë prona të luajtshme apo jo, të cilat nxirren në ankand, por sipas këtij reagimi të ministrit, automjetet dhe pronat do të përdoren për nevoja të shtetit.