Zbatimi i plotë i hartës gjyqësore, si dhe rritja e eficencës së sistemit të drejtësisë do të jenë në fokus të punës së Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2024.

Kështu u shpreh sot në një reagim në rrjetet sociale ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja i cili renditi disa nga prioritetet dhe objektivat për vitin 2024.

“Viti 2023 ishte një vit plot sfida dhe arritje për Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet e saj të varësisë, një punë kolosale që u finalizua me mbylljen e procesit të shqyrtimit analitik të legjislacionit (screening), përfshirë Kapitullin 23 ‘Gjyqësori dhe të drejtat themelore’”, u shpreh Manja, në një reagim në rrjetet sociale.

Ministri theksoi se gjatë vitit 2024 na presin sfida të reja, duke nisur me rishikimin e kuadrit strategjik të drejtësisë dhe përshtatjen e tij me sfidat aktuale dhe imediate të sistemit, përfshirë zbatimin e plotë të hartës gjyqësore, si dhe rritjen e eficencës së sistemit të drejtësisë, tashmë tërësisht të reformuar.

Manja u shpreh se fokusi do të jetë mbi çdo masë në nivel ligjor që redukton kohën e gjykimit të çështjeve në gjykata.

“Do të vijojmë me intensitet dhe volum të shtuar procesin e përafrimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian, si dhe do të zbatojmë për herë të parë teknika të inteligjencës artificiale në procesin e hartimit të ligjeve”, theksoi ministri.

Po ashtu, ai bëri të ditur se “ndër prioritetet absolute janë edhe përmirësimi i kapaciteteve dhe optimizimi i menaxhimit të sistemit penitenciar, fuqizimi dhe llogaridhënia e profesioneve të lira dhe shumë punë të tjera të mira”.

“Mbi të gjitha, do të punojmë fort për të fuqizuar burimet tona njerëzore, si pasuria më e çmuar që kemi dhe faktori kyç për t’i çuar këto punë të mira përpara! Puna vazhdon”, u shpreh ministri Manja.