Faza e parë e Çmimit Kadare 2024 u mbyll sot dhe pas përzgjedhjes nga juria, nën drejtimin e kryetarit Nasi Lera, në fund të muajit shkurt do të shpallet emri i fituesit. Proza më e mirë e 2024 do të botohet nga UET Press, ndërsa autori do të vlerësohet financiarisht, si dhe do të promovohet në qarqet letrare dhe në media. Çmimi Kadare hyn në një fazë të re të ecurisë, duke hedhur një hap më para drejt finalizimit. Juria e 10-të është mbledhur këtë të hënë në një takim paraprak, për të përmbyllur fazën e parë të konkurrimit ndërsa ka marrë në dorë çdo dorëshkrim që është bërë pjesë e çmimit më prestigjoz që jepet në Shqipëri në zhanrin e prozës.

Sot është dita e fundit e mbledhjes së dorëshkrimve dhe sinopseve të veprave të pabotuara, nga autorë shqiptarë që jetojnë brenda vendit, në rajon apo diasporë. Përgjatë një muaji në adresën online të Çmimeve Kadare janë mbledhur dorëshkrime, nga emra të rinj dhe të njohur, që i kanë besuar këtij institucioni të njohur krijimtarinë e tyre letrare. Për të gjithë ata që nuk kanë mundur ta dorëzojnë sinopsin, të shoqëruar me të paktën 15 faqe nga dorëshkrimi, aplikimet mbeten të hapura në adresën [email protected], deri në fund të kësaj dite. Gjatë një dekade jetë, ky çmim është rehatuar në fronin e vet, me konture të përcaktuara qartë që tashmë janë kthyer në traditën e tij. Pas mbledhjes së të gjitha dorëshkrimeve, juria e drejtuar nga autori i njohur Nasi Lera, ndjekur nga Gazmend Krasniqi, Armand Bora, Ermir Nika dhe Suadela Balliu, do të procedojë me fazën e dytë, atë të përzgjedhjes për të nxjerrë në javën e fundit të janarit 10 dorëshkrimet më të mira.

Duke respektuar afatet, në fund të javës së dytë të shkurtit juria do të ngushtojë emrat dhe veprat, për të arritur në pesëshen finale, prej të cilave do të nxirret vepra fituese e Çmimit Kadare 2024. Emri i ri do të bëhet i ditur gjatë aktivitetit “Shkolla Dimërore e Humaniteteve”, që mbahet në javën e fundit të muajit shkurt, në Llogora. Pas marrjes së bekimit të shkrimtarit të famshëm shqiptar, Ismail Kadare, themeluesit e këtij çmimi, më 2014, kishin si qëllim kthimin e vëmendjes dhe vlerësimin e prozës, me vizionin për të nxituar të shkruarit shqip, por edhe autorë të rinj e të talentuar, duke iu ofruar atyre mbështetjen e munguar. Gjithë projekti i Çmimit Kadare, mbështetur nga Instituti Liberal i Tiranës “Pashko”, kap vlerën e 10 mijë eurove, që përfshin vlerësimin e autorit, botimin e veprës nga shtëpia botuese UET Press, shoqëruar me një tur të gjatë leximesh e promovimesh të librit, në aktivitete e qarqe të ndryshme në të gjithë Shqipërinë, si dhe në media.