Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike, IRGC, e Iranit tha se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur për sa kohë që vazhdojnë “kërcënimet” dhe “ndërhyrja” e SHBA-së në transportin detar në rajon, disa orë pasi ushtria amerikane tha se kishte goditur dhjetëra objektiva të IRGC-së në Iran.

“Ngushtica e Hormuzit nuk do të rihapet për sa kohë që vazhdojnë retorika e tepruar, kërcënimet nga zyrtarët amerikanë dhe ndërhyrja e tyre në lëvizjet detare në rajon”, tha Garda Revolucionare e Iranit në një deklaratë.

“Kërcënimet dhe ndërhyrjet vetëm sa do ta bëjnë situatën më të vështirë dhe më komplekse”, tha IRGC.

Irani pretendon se Ngushtica e Hormuzit është nën kontrollin e tij dhe shpesh ka sulmuar anijet që nuk i përmbahen udhëzimeve të tij.

Ndryshe, Ushtria jordaneze njoftoi se ka interceptuar dhe rrëzuar pesë raketa të lëshuara nga Irani drejt mbretërisë, duke shënuar ditën e katërt radhazi të incidenteve të tilla.

Në një deklaratë, ushtria tha se sistemet e mbrojtjes ajrore zbuluan dhe interceptuan pesë raketat në orët e para të së enjtes.