Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron ndodhet në Kosovë dhe sot ka vizituar bazën e trupave ushtarake të vendit të tij që janë angazhuar në mbrojtje të territorit të Kosovës. Shefi i diplomacisë britanike i ka dhënë indirekt dhe një mesazh të qartë Serbisë.
Ai është shprehur se Britania e Madhe i ka parë e studiuar përpjekjet e vendeve të tjera të cilat duan të destabilizojnë rajonin, pa përmendur emra por duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për Serbinë, ndaj ka theksuar se vendi i tij është i gatshëm të futet në luftë për lirinë e Kosovës.
Si për të konfirmuar dhe për t’i dhënë me tepër zë daljen publike në mbrojtje të Kosovës, David Cameron tha se e kishte parë dhe sulmin terrorist në Banjskë në shtatorin e vitit 2023.
”Jam këtu në kampin “Film City”, në Prishtinë, Kosovë për të falënderuar trupat britanike që janë pjesë e NATO-s këtu për të bërë punën e tyre vitale. Por më shumë, unë kam ardhur në Kosovë sepse është vend i pavarur, sovran, dhe Britania e ka ndihmuar në momentin kur kishte nevojë dhe meriton stabilitet, siguri dhe prosperitet.
Dhe ne duam ta ndihmojmë gjithë atë agjendë sepse është ne interes të Kosovës, por edhe të Britanisë. Siç e dimë ka forca dhe vende të tjera që duan ta destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, duan që të ju shkaktojnë probleme këtyre vendeve. Ne e kemi parë sulmin e tmerrshëm këtu në shtatorin e vitit të kaluar.
Unë mendoj që është e rëndësishme të punojmë me Qeverinë e Kosovës që të ndihmojmë në rritjen e ekonomisë, të ofrojmë stabilitet dhe siguri për vendet e tyre dhe të bëjmë të qartë se forcat tona janë të gatshme të marrin aksion për ta mbrojtur vendin nëse është e nevojshme”, është shprehur ministri britanik, David Cameron.