Mesazhi që Shtetet e Bashkuara po dërgojnë në Serbi, duke paralajmëruar shitjen e raketave kundërtanke në Kosovë, është se Beogradi zyrtar nuk konsiderohet partner i besueshëm. Kështu tha Kurt Bassuener, hulumtues i latë në Këshillin për Demokratizim të Politikave me seli në Berlin.

Bassuener tha se beson se kjo lëvizje ende nuk shfaq një ndryshim të politikës së Perëndimit ndaj Vuçiqit, por është tregues se ndryshimi i politkës mund të shqyrtohet.

“Mesazhi që SHBA-ja po dërgon me këtë blerje është se Serbia, pavarësisht deklaratave të Perëndimit se është partnere në dialog, nuk po konsiderohet partnere e besueshme, ose e besueshme nën udhëheqjen aktuale”, tha ai.

Njoftimi për synimin e Kosovës që të blejë sisteme raketore nga SHBA-ja vjen në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta.

Në muajt e fundit, ushtria serbe disa herë ka lëvizur trupat drejt kufirit me Kosovën, kufi që ruhet nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, teksa u regjistruan disa incidente në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – përfshirë edhe një sulm të armatosur nga një grup serbësh ndaj Policisë së Kosovë në Banjskë të Zveçanit.

SHBA-ja ka thënë se dhuna e parë në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës dhe gjatë përleshjeve që pasuan u vranë dhe tre sulmues serb, nuk do të lejohet që të përsëritet.

Eksperti gjerman Bassuener tha se beson që incidenti në Banjskë është një prej motiveve që SHBA-ja dëshiron të forcojë kapacitetet mbrojtëse të Kosovës.

“Në takimet e mia në Uashington, nuk kam parë ndryshim të madh në mënyrën e mendimit. Por, ka më shumë njohje se politikat që janë ndjekur deri më tani nuk kanë dhënë rezultatet e pritura. Prandaj, shpresoj se vendimi për raketat Javelin është sinjali i parë i një ndryshimi të strategjisë ndaj Ballkanit Perëndimor nga të dyja anët e Atlantikut”, tha ai./.REL