Kushtrim Kokalla, i arrestuar i tretë si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt, ka pranuar se Naim Murseli e ka lutur atë prej afër një viti që ta kryejë vrasjen e 30-vjeçares.
Në dëshmitë e siguruara nga Paparaci, Kokalla ka deklaruar se Naim Murseli e ka planifikuar edhe më herët vrasjen e gruas së tij, për çfarë i ka ofruar edhe para Kokallës për ta përfunduar planin e tij.
Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe njëherësh familjar i Naim Murselit, mohon të ketë pranuar këtë punë nga Murseli, për çfarë thotë se i ka bërë thirrje që mos te bëjë asnjëherë.
“Vlen të përmend se Naimi prej afër një viti mua më ka lutur që të e kryej këtë vrasje. Atëherë unë i kam thënë se nuk vjen në shprehje që të bëj këtë punë dhe mos më thuaj më asnjëherë”, thuhet në dëshminë e Kokallës.
Në dëshminë e tij, Kokalla pranon se Naim Murseli e dorasi i Liridona Ademajt, Granit Plava, janë takuar përmes tij, por mohon që të ketë gisht në vrasjen e saj.
Kokalla ka dhënë detaje edhe për mënyrën e komunikimit mes Murselit e Plavës si dhe detaje tjera për ditën kritike të vrasjes së Liridona Ademajt dhe ditën e varrosjes së saj.
Intervista e plotë:
Kokolla: Unë jam Kushtrim Kokolla, i lindur në Gjakovë, jetoj në fshatin Cermjan, rruga “Sadri Kokolla”, së bashku me dy prindërit dhe dy vëllezërit. Kam kryer shkollën e mesme në Gjakovë, ndërsa nga viti 2019 jam pjesëtar i FSK-së me gradën tetar dhe shërbej në aeroportin e Gjakovës. Pseudonimi im është Koki.
Pyetje: A je dënuar ndonjëherë apo ka ndonjë procedurë penale të hapur ndaj jush?
Kokolla: Jo, as nuk jam dënuar as nuk ka procedurë penale ndaj meje.
Pyetje: Çfarë mund të na thoni për dy personat Naim Murseli dhe Granit Plava?
Kokolla: Më besoni, Naim Murselin unë e kam djalë daje dhe djalë halle, ndërsa Granit Plavën e kam bashkëfshatar dhe njihemi që kur kemi qenë fëmijë pasi vijmë nga i njëjti fshat.
Pyetje: A mund të na tregoni së sa kohë njiheni me këta persona.
Kokolla: Naimi me granitin njiheshin me njëri-tjetrin për rreth një javë, ndoshta dy.
Pyetje: Pra nuk janë njohur më parë me njëri tjetrin?
Kokolla: Jo, para një jave Naim Murseli më ka ftuar për vizitë në shtëpinë e tij në Bërnicë. Unë kam mbërritur në shtëpinë e tij në orët e vona, jemi takuar me Naimin dhe kemi qëndruar aty rreth një orë.
Pyetje: Në ditën kritike të vrasjes së Liridona Murselit me kë keni ardhur nga Gjakova në Prishtinë?
Kokolla: Unë nga Gjakova atë ditë kam ardhur në të njëjtën veturë me Granit Plavën.
Pyetje: Çfarë ka ndodhur atë ditë në shtëpi dhe çfarë keni biseduar ju me Naim Murselin?
Kokolla: Kemi qëndruar në shtëpi bashkë dhe më ka treguar rreth shtëpisë së tij të re. Po ashtu më ka treguar gjëra që i ka blerë dhe nuk kemi biseduar ndonjë gjë tjetër. Më pas unë kam dashur të iki në shtëpi, por Naimi ka insistuar që të vinte edhe ai me mua, megjithatë unë i thash se kam mikun tim Granitin i cili asokohe ndodhej në qytet. Dmth në Prishtinë. Më pas së bashku me Naimin jemi takuar me Granitin te “Shelli” në hyrje të autostradës.
Pyetje: Çfarë keni biseduar në këtë takim?
Kokolla: Me tu takuar te “Shelli”, në bisedë e sipër Naimi e ka pyetur Granitin se me se merresh dhe ky i fundit i është përgjigjur se “merrem me gjithçka”. Nuk është biseduar ndonjë gjë tjetër. Pastaj, unë dhe Granit Plava kemi vazhduar rrugës për në shtëpi. Ndërsa Naimi është kthyer në shtëpinë e vetë. Po atë natë, Naimi më ka shkruar në Whatsapp dhe më ka kërkuar numrin e Granit Plavës dhe unë ja kam dhënë. Pas dy tre ditëve më ka telefonuar Naimi dhe më ka thënë që merre edhe Granitin me vete dhe hajde në udhëkryq të Klinës. Unë kam marrë Granitin me makinën time dhe kemi vazhduar në drejtim të Klinës për takimin.
Pyetje: Pasi jeni takuar, çfarë keni biseduar të tre?
Kokolla: Fillimisht dua të them se unë kam hyrë në kredi 25000 euro për Naim Murselin dhe pagesën e kredisë ai ma jepte mua në dorë çdo muaj. Po atë natë, kur Naimi më dha paratë për këstin e kredisë 300 euro, ai i dha gjithashtu edhe Granitit 500 euro dhe i ka thënë kënaqu. Unë aty kam mbetur i shokuar sepse nuk ja km pasur idenë pse Naimi ja dha këto para Granitit. Aty kemi qëndruar rreth një orë.
Pyetje: Cila ka qenë arsyeja që ju keni marrë kredi për Naim Murselin?
Kokolla: Nuk më ka treguar arsye, thjesht më ka thënë se do t’i paguajë të gjitha brenda vitit.
Pyetje: Çfarë ka ndodhur më pas?
Kokolla: Më 29 nëntor 2023 më ka marrë në telefon Naimi për të pyetur ku je? Unë i kam thënë ku jam, i thash se më ishte prishur makina dhe isha i zënë duke e rregulluar. Ai insistoi që të takoheshim atë ditë vetëm 5 minuta. Pastaj jemi takuar në qendër të Gjakovës në 09:30 të mëngjesit. Aty Naimi më ka thënë se duhet ta kryejmë këtë punë. Ai ka aluduar vrasjen e bashkëshortes së tij, pasi prej një viti po më lutej mua për ta kryer këtë vrasje. Në kundërpërgjigje unë i kam thënë se nuk më vjen përmbarë të bëjë të tillë punë dhe mos ma kërko më kurrë. Atë ditë më tha që po e thërriste Granitin dhe po takohem me të. Pastaj unë jam ndarë nga Naimi dhe nuk kam pasur më kontakt me të deri në orët e mbrëmjes. Diku rreth orës 22:00 më ka marrë një shok në telefon dhe më tha “a i ke parë lajmet”. Aty e kam kuptuar për rastin e vrasjes së gruas së Naimit.
Pyetje: Çfarë veprimesh ke ndërmarrë në ato momente?
Kokolla: Me të marrë lajmin, unë bashkë me familjen jemi nisur në drejtim të Prishtinës. Kemi shkuar te stacioni i Policisë në pritje të përfundimit të procedurave të nevojshme për të mos e lënë vetëm Naimin. Kam qëndruar me të për t’i ndenjur afër dhe pas asaj kemi shkuar në një hotel në Prishtinë.
Pyetje: Kur keni shkuar në hotel, a keni biseduar me Naimin rreth kësaj ngjarje? Nëse po, çfarë keni biseduar?
Kokolla: Në momentin që kemi hyrë në dhomë, Naimi më është drejtuar me fjalët ‘e kreva këtë punë’. Unë jam shokuar menjëherë dhe i kam thënë që nuk dua të di asgjë lidhur me këtë çështje. Pastaj, po atë natë më ka thirrur në telefon Graniti për të shkuar në klub nate dhe më ka dërguar një video snap nga një diskotekë. Unë i kam thënë që nuk vij sepse ashtu kam një rast.
Pyetje: Po ditët në vazhdim, duke qenë se ju ishit në dijeni që ka ndodhur një vrasje dhe Naimi u ka treguar se ka ndodhur një vrasje. A keni ndërmarrë ndonjë veprim për ta raportuar rastin në Polici?
Kokolla: Po, kam menduar disa herë për të shkuar, por kam qenë i shokuar. E di që kam gabuar, por kam pasur frikë familjen time.
Pyetje: A ke pasur kontakt me Granit Plavën apo Naim Murselin më pas?
Kokolla: Po deri më datë 1 dhjetor, gjatë varrimit të së ndjerës, jam takuar me Naimin te varrezat ku i kam shprehur ngushëllime, por nuk kam pasur ndonjë bisedë me të. Pastaj kur kam shkuar për të marrë fëmijët e Naimit në Gjakovë, të cilët kanë qenë të gruaja e vëllait të Naimit, rrugës duke u kthyer për në shtëpi, kemi parë Policinë duke shkuar te shtëpia e Granitit. Aty Naimi më ka pyetur a e ke armën me vete, i kam thënë që “jo, nuk e kam. E kam lënë në shtëpi, në kasafortë”.
Pyetje: A ju ka ofruar Naimi ndonjë shumë të parave apo a keni pranuar ndonjë shumë parash për këtë rast?
Kokolla: Po, para më ka ofruar, por unë nuk kam pranuar asnjëherë. As para rastit, as pas rastit nga Naimi.
Pyetje: Çfarë do të shtoje për rastin?
Kokolla: Më vjen jashtëzakonisht keq për çfarë ka ndodhur.