Roma koleksionoi fitoren e dytë radhazi nën drejtimin e Daniele De Rossit. Verdhekuqtë triumfuan në transfertë me shifrat 2-1, falë golave të Paulo Dybala dhe Lorenzo Pellegrinit. Pas sfidës, tekniku i kryeqytetasve, theksoi se për të është shumë e rëndësishme që lojtarët të fitojnë duelet një kundër një në fushë, pasi përndryshe është thuajse e pamundur të fitohet ndeshja. “Nëse bëjmë një qarkullim topi të ngadaltë dhe nuk godasim në portë, atëherë mendoj se do të humbasim shumë ndeshje. Ka ende punë për t’u bërë pasi lojtarët duhet të kuptojnë momentet e një ndeshje.

Në futboll duhen fituar duelet, kështu mund të fitosh ndeshjet. Nese nuk e bën këtë, atëherë është e kotë të nisësh dhe të bësh filozofi mbi taktikën. Nëse lojtarët nuk fitojnë duelet faji bie mbi mua, sepse unë duhet t’i vendos ata në pozita të favorshme”, tha De Rossi.

Më tej, 40-vjeçari zbuloi edhe një prapaskenë në momentin e goditjes së penalltisë nga Paulo Dybala. De Rossi vendosi të mos e shihte goditjen e argjentinasit ndërsa tregoi bisedën me portierin e dytë, Svilar. “I thashë Svilar se më pëlqen të bëj pak rolin e budallait me lojtarët që janë në pankinë. E pyeta Svilar nëse Dybala do të shënonte dhe ai ma ktheu me shumë siguri. Më tha se bëhet fjalë për Dybalën dhe se ishte tepër i sigurt se sulmuesi nuk do të gabonte nga 11-metrat. Ashtu ndodhi”, u shpreh De Rossi.