Miliona të krishterë ortodoksë morën pjesë në meshat e mbajtura në mesnatë për të shënuar Krishtlindjen ortodokse, një festë që ka mbetur nën hije për shumë persona për shkak të konfliktit në Ukrainë.
Në Rusi, vendit me numrin më të madh të të krishterëve ortodoksë, besimtarët morën pjesë në meshat e mbajtura më 7 janar në kishat në Moskë dhe në mbarë vendin.
Në Ukrainë, ku shumica e të krishterëve identifikohen si ortodoksë, kjo ishte hera e parë që Krishtlindja, zyrtarisht në bazë të një vendimi të Qeverisë, nuk u festua më 7 janar, por më 25 dhjetor, në përputhje me traditat katolike romake dhe ato perëndimore.
Pavarësisht vendimit për mosfestimin e Krishtlindjes më 7 Janar, vendim që e mori presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në korrik të vitit të kaluar, mijëra ukrainas shkuan në kisha dhe faltore në mbarë vendin, përfshirë edhe në manastirin e rinovuar Kiev-Peçersk, për të marrë pjesë në shërbesat e mesnatës.
Urdhri i Zelenskyt ishte një sinjal i radhës i përpjekjeve të Ukrainës për t’u larguar nga traditat e dominuara nga Rusia, teksa pushtimi rus i Ukrainës po i afrohet përvjetorit të dytë.
Më 2019, Kisha Ortodokse e Ukrainës u shkëput nga kontrolli shekullor nga Kisha Ortodokse e Rusisë, megjithatë mosmarrëveshjet për këtë çështje nuk janë zgjidhur krejtësisht. Një tjetër degë më e vogël e ortodoksisë ukrainase mbetet besnike ndaj Moskës dhe të dyja palët kanë mosmarrëveshje për kontrollin e manastirit në Kiev.
Një pakicë e konsiderueshme e të krishterëve ukrainas, veçmas në perëndim të Ukrainës, janë katolikë.
Në Rusi, presidenti Vladimir Putin, iu bashkua familjarëve të ushtarëve të vrarë në luftën në Ukrainë në një shërbesë private në rezidencën e tij në Novo-Ogarjovo, në periferi të Moskës.
Sipas një deklarate të lëshuar nga Kremlini, Putin theksoi “përpjekjet e organizatave fetare që synojnë të mbështesin heronjtë tanë – pjesëmarrës në operacionin e posaçëm ushtarakë”, formulim që Kremlini përdor për t’iu referuar pushtimit të Ukrainës.
Për dallim nga viti i kaluar, Putin nuk bëri thirrje për armëpushim gjatë kësaj feste fetare.
Perëndimi ka vlerësuar se që nga nisja e pushtimit të Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar, Rusia ka pësuar mbi 320.000 viktima – të vrarë dhe të plagosur – ndërkaq të dhënat e Ukrainës në këtë drejtim besohet se janë të krahasueshme me ato ruse.
Krishtlindja ortodokse në Kosovë është festë shtetërore dhe festohet nga besimtarët ortodoksë në vend.
Në Serbi, besimtarët ortodoksë e shënuan festën duke djegur dushk jashtë kishave dhe faltoreve. Mijëra persona morën pjesë në shërbesën në Tempullin e Shën Savës, që është kisha më e madhe ortodokse në Ballkan. /REL/