Pagat në sektorin publik do të rriten sërish në mesin e këtij viti, teksa efekti në buxhetin e këtij viti për financimin e reformës së nisur në 2023-shin llogaritet në afro 40 miliardë lekë.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete bëri të ditur sot, në konferencën për shtyp mbi zhvillimet ekonomike në vend përgjatë vitit që lamë pas dhe pritshmëritë për këtë vit se nga mesi i vitit 2024 do të ketë një rritje të konsiderueshme të pagave, me synimin që brenda këtij viti të arrijmë pagën mesatare prej 900 euro në sektorin publik.
“Është e rëndësishme që rritja dhe zhvillimi ekonomik të jenë të balancuara dhe gjithëpërfshirëse, duke pasur vëmendje ndaj shtresave sociale dhe kapitalit njerëzor, si një faktor kryesor për një rritje të qëndrueshme. Në këtë kuadër, reforma e nisur e rritjes së pagave në sektorin publik do të vijojë ndjeshëm edhe gjatë 2024. Për të gjitha këto kategori, nga mesi i vitit 2024 do të ketë një rritje të konsiderueshme të pagave, me synimin që brenda këtij viti të arrijmë pagën mesatare prej 900 euro në sektorin publik”, deklaroi ai.
Mete informoi se në muajt e parë të vitit do të finalizohen vendimet që specifikojnë rritjen për të gjitha kategoritë, për mjekët e përgjithshëm, infermierët dhe punonjësit e tjerë të shëndetësisë, mësuesit në arsimin parauniversitar, forcat e rendit, të mbrojtjes dhe punonjësit e niveleve zbatuese të administratës.
“Në total, efekti vjetor për financimin e reformës së pagave llogaritet në afro 40 miliardë lekë, ose 400 milionë euro dhe parashikohet që rritja të vijojë më tej, për të mbështetur punësimin cilësor dhe për të arritur ndër pagat më konkurruese në rajon. Besojmë që kjo rritje pagash do të rrisë konkurrencën në tregun e punës, duke nxitur edhe rritjen e pagave në sektorin privat”, deklaroi ministri Mete.