Moti i keq në fundjavë ka përfshirë disa prej qyteteve të vendit. Mëngjesin e sotëm qarku i Dibrës është zgjuar me temperatura ekstrem të ftohta. Në Peshkopi termometri ka shënuar – 7 gradë celcius, ndërsa në Kalanë e Dodës – 13 gradë.
Ndërprerja e reshjeve u ka dhënë kohë mjeteve borëpastruese të avancojnë në hapjen dhe kriposjen e tyre.
Rruga Peshkopi-Bulqizë-Klos është e kalueshme, ndërsa policia vijon të mbajë të bllokuar segmentin e rrugës së Arbrit nga rreth rrotullimi i Klosit drejt Qafës së Murrizit, derisa kripa e hedhur të shkrijë akullin që ka shtresëzuar në asfalt. Kalimi deri në një njoftim të dytë do të bëhet në rrugën e vjetër, nga Burreli. Aksi Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës i kalueshëm me zinxhirë, ka pasur probleme në një segment nga Qafë Kalaja drejt Vasies, për shkak të erës së fortë.
Në Bashkitë Dibër, Bulqizë dhe Klos të cilat kanë qenë më të goditura nga moti i keq, nuk ka pasur probleme me energjinë elektrike.
Edhe në qarkun e Kukësit mëngjesin e sotëm situate është e qetë dhe pa reshje. Rrugët janë të qarkullueshme me goma dimërore, ndërsa vijon puna e kontraktorëve për mbajtjen funksionale të akseve.
Në disa prej fshatrave, furnizimi me energji elektrike është ndërprerë për shkak të motit. Në fshatin Murqinë të Fushë Krujës, reshjet e djeshme të shiut shkaktuan përmbytje në disa toka bujqësore. Dalja e lumit Ishëm nga shtrati shkaktoi problematika të shumta, ndërsa edhe mëngjesin e së dielës dhjetëra hektarë tokë vijojnë të mbeten nën pushtetin e shiut./abcnews.al