Sinoptikania Lajda Porja, ka zbuluar se si do të paraqitet situata meteorologjike në vend gjatë ditëve në vijim.
Porja zbuloi se dita e sotme dhe deri në mëngjesin e së dielës do të ketë reshje shiu kryesisht në zonat qendrore ku pritet të ketë edhe përmbytje në zona të caktuara të mbyllura.
Nga dita e martë pritet të vijë i ftohti polar, që do të vazhdojë deri në fundjavë.
“Janari ka nisur me temperatura të larta edhe dita e sotme ka temperatura të larta për stinën që arrijnë 18-19 gradë. Gjithashtu ka pasur rritje edhe në vlerat minimale, por nga ora në orë presim grumbullim të vranësirave duke sjellë reshje. Pjesa e dytë e ditës së sotme dhe deri në orët e para të ditës së nesërme do të ketë reshje shiu ku më të shumta do të jenë në zonat qendrore dhe jugore. Në disa zona qendrore si në Tiranë, Durrës, Fier, Berat, Lushnja do të ketë probleme pasi do të ketë reshje herë pas here intensive, të cilat mund të sjellin dhe përmbytje në zona dhe lagje të caktuara.
Ndërsa nga e hëna e në vijim të kemi përmirësim të kushteve atmosferike dhe do të kemi një javë të qëndrueshme dhe pa reshje. Ajo që do të ndryshojë do të jenë temperaturat ku prej ditës së nesërme do të ketë rënie me 5 ose 6 gradë dhe priten reshje dëbore në veri dhe më të konsiderueshme në pjesën juglindore në kryesisht në fshatra.
I ftohti polar pritet të vijë të martën dhe pritet të qëndrojë deri në fund të javës,”-raportoi sinoptikania Lajda Porja për News 24.