“Homologu” i Fred Cakos në Itali është një gazetar shumë i njohur i kulturës në vend. Red Ronnie, DJ, drejtues televiziv por mbi të gjitha gazetari që ka intervistuar thuajse të gjithë yjet botërorë dhe italianë të muzikës. Vitet e fundit, tashmë në moshë të shkuar, Red, i është futur thellë konspiracionit, e përveç fiksimit të “Tokës së Sheshtë”, flet shumë për UFO-t.
Madje në kanalin super të ndjekur të tij në Youtube, ka interlekutor edhe një grua që arrin të komunikojë me “Dimensionin Tjetër”. Pra flet me të vdekurit, e në emisione sjell shpesh “intervista” me yjet e muzikës që nuk janë më. E fundit ishte një intervistë nga “Dimensioni tjetër” me Jimi Hendrix.
Përveç këtyre fiksimeve, Red është edhe vegjetarian ekstremist. Nuk fut në gojë asnjë yndyrë shtazore, e ushqehet vetëm me barëra, fara, e zhardhokë, të cilët i pëlqen në mënyrë të veçantë.
Në një debat televiziv para pak kohësh, ku fliste për vizionet e tij të pafundme, një bashkëbisedues ja ktheu se ja kuptonte hallin. Ishte gjithë kohën i uritur, e nga mungesa e yndyrnave ka vizione të shpeshta.
Në një farë mënyrë si ajo barsaleta e famshme e Shkodrës në krizën më të rëndë në komunizëm, që ja mveshën si personazh artistes së njohur Rita Ndoci. E cila, një kalimtari që e ngacmoi pa “qime në gjuhë” ja ktheu: “Ça ke o rrezikzi. T’ka humbur tolloni i mishit?”.
E në këtë mjedis diskutimi vegjetarian, vjen jehona e fjalës së famshme të ambasadores Yuri Kim në vitin 2021. “Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu”, tha Yuri Kim, frazë që fatkeqësisht qëlloi profetike.
Sidomos kur shikon këto orë, kur mjedisi mediatik pranë Doktorit kërkon të nxjerrë dhjam nga rrepat e xhiron bosh pas një deklarate të OSBE-së dhe një prononcimi që Ambasada amerikane ka bërë, e pyetur nëse po ndërmjetëson mes partive për reformën zgjedhore.
Në të vërtetë, e gjitha kjo është kaq e thjeshtë, e menjëherë sa davaritet mjegulla mediatike kuptohet qartë. Mjafton të lexosh deklaratën zyrtare të OSBE-së, e cila shkoqur njohu Damian Gjiknurin e PS dhe Enkelejd Alibeajn e PD-së së Bashës si interlekutorët që po merren me reformën zgjedhore.
Ky fakt dihej, pasi ka ndodhur ditë për ditë, sa herë që ndërkombëtarët kanë ndërvepruar në Tiranë. Pjesmarrja e tyre në Parlament, pikërisht kur Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie është sinjal më i qartë sa nuk ka asnjë kontakt apo afrim me doktorin, por edhe me enturazhin e tij. Gaz Bardhi apo deputetët e tjerë prej kohës që janë pranë Berishës, nuk kanë pasur asnjë kontakt real politik me faktorin ndërkombëtar, përveçse ndonjë batute në këmbë në ndonjë pritje që ka bërë Kuvendi, apo institucione të tjera.
E gjitha kjo dihet, e nuk besoj se ka ndonjë person që ndjek politikën në vend, e sidomos anëtar e mbështetës i opozitës që nuk e shikon ashtu siç është. Të vetmit që kanë vizione të ndryshme dhe me ngjyra livadhore janë Gaz Bardhi, apo kolegët e tij që gënjejnë veten se shikojnë vizione se janë kryetar grupi dhe takojnë e diskutojnë me krerët e PPE-së dhe ambasadorin amerikan në Tiranë. Në fakt, sapo kanë nisur të ndjejnë pasojat e barit. Që konsumuar gjatë, jep këto efekte…