Nga Ylli Pata

Njerëz nga grupi i foltores e mohojnë publikisht tezën se Argita Berisha po merr trashëgiminë e drejtimit politik të asaj që mbetet nga formacioni politik i të atit. E thonë se dalja e saj publikisht nuk është asgjë tjetër veçse një ligjërim normal i një përfaqësueseje, militanteje, e jo të një drejtueseje.

Sado që t’i jepet ngjyra apo emërtime këtij rasti, kemi të bëjmë në mënyrë të pastër me një zbritje në politikë të vajzës së Sali Berishës.

E cila, pavarësisht se ka qëndruar larg si aktore direkte, ajo ka qenë prej shumë vitesh një “regjizore” apo më mirë një “asistent-regjizore” në prapaskenën e zhvillimeve të PD-së.

Fuqizimi i Argitës dhe vëllait të saj erdhën pas vitit 200, jo vetëm në influencën e vendimeve të pushtetit të babait të tij, për të cilën po hetohet ai dhe bashkëshorti i saj, por edhe në rolin e fortë lobist në zgjedhjen e “aktorëve” që pushteti dhe politika e Sali Berishës ka përdorur në shfaqen e gjatë.

Deputetë, zyrtarë agjencish qeveritare, diplomatë, gjykatës e prokurorë, një armatë e tërë njerëzish që kanë dalë nga audicionet e “asistent-regjizoresh”, që ishte filtri i parë për takimin final me shefin e madh.

Kjo nuk ka qenë asnjëherë sekret, madje është përfolur gjatë në mjediset e Partisë Demokratike, gjatë pushtetit e më pas në opozitën e sotme.

Në dy vitet pas mandatit të parë të pushtetit të PD-së, pasi u zgjodh Bamir Topi, President i Republikës, u fol seriozisht për zbritjen zyrtare të Argitës në politikë. Sipas të gjitha gjasave gjithçka ishte bërë gati në mënyrë preçize, por gjithçka u prish nga shpërthimi i biznesit vdekjeprurës me armët e municioneve, ku nga dy biznesmenë amerikanë dhe një biznesmen shqiptar doli emri i Shkëlzen Berishës. Ku të dhënat mbërritën në instiucione të larta federale të SHBA, si dhe një institucion edhe më të fuqishëm siç është “The New York Timesi”. Gjithçka që ndodhi më pas ishte një kronikë frustruese e mllefit të një babai që nuk iu zbatua plani i hartuar në mënyrë perfide, si dhe bërja e çdo zullumi vetëm për të shpëtuar fëmijët.

Kjo është një kronikë që dihet tashmë. Le të vijmë sot. Ç’do të ndodhë me zbritjen e Argitës? Pasoja e parë e mundshme është kandidimi për deputete për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pamundësia ligjore e Sali Berishës për tu zgjedhur, do të trashëgohet tek e bija. E me hyrjen e shpejtë, në një farë mënyre kondicionon edhe një hetim të mundshëm ndaj saj. Duke e përdorur një implikim, si persekutim apo masë e qëllimshme.

E nëse ja del të zgjidhet deputete, duke trashëguar mandatin e të atit, kjo vulos trashëgiminë politike personale, por jo politike të opozitës.

Është një farë mënyrë modeli i Stefania Craxit në Itali, e cila zëvendësoi të atin Bettino Craxi në Parlamentin Italian, ku shërben prej disa mandatesh, por nuk e zëvendësoi trashëgiminë politike të tij.

Sot në Itali, ka disa segmente politike që shpallen se janë trashëgimtare të Partisë Socialiste Italiane të Craxit, që lëvizin sa andej e këndej. Ca majtas e ca djathtas, por asnjëherë nuk pati një ringritje të PSI-së. Ata ndikojnë si lobingje në zona të caktuara elektorale, por asnjëherë nuk kanë një efekt kombëtar.

Kështu do të ndodhë edhe me atë që mbetet nga foltorja e Sali Berishës. Formacioni që do të qëndrojë në këmbë, është thjeshtë një rrymë, e cila do të mundojë të mbijetojë në lumin e politikës. Por që me vijimin e çështjeve nga SPAK në drejtim të Sali Berishës e familjes së tij, do të zbehet e dobësohet gjithnjë e më shumë.

Kjo ka mjaft arsye, por kryesorja është se nuk mund të ngrihet një formacion politik në bazë të nostalgjisë e simpatisë ndaj liderit të “persekutuar”. Edhe “Vullnetarët e Enverit” që u dukën se do të shpërthejnë si një parti e fortë në 1991, u shuan shpejt pas dy muajsh. E kryetarin e tyre që themeloi një Parti Komuniste, i ndjeri Hysni Milloshi, nuk e pranoi as Nexhmije Hoxhës. E cila, sipas gjasave do të donte ta drejtonte ajo apo ndonjë prej fëmijëve të saj një parti që symbol kishte burrin e saj.

Por pati inteligjencën ta kuptojë se nuk do të kishte sukses; pasi shqiptarët në vitin 1990 dolën në rrugë me parullat “Poshtë dinastia”. Dhe asaj i doli kundër dhe një pjesëtar i familjes së gjerë, që ishte pasardhësi i Enverit, Ramiz Alia. Në Shqipëri, historikisht është vërtetuar se elementët dinastikë nuk kanë ngjitur dot në politikë, edhe pse ka pasur elementë. E implementimi si precedent i rastit të Argitës, ka shumë gjasa të jetë një zhvillim fragmentar, e pa fuqi potenciale në politikë