Viti 2024 vjen me lajme të mira për Policinë e Shtetit. Pas shpërndarjes së 100 kredive me interes 0, në vitin 2024 do të shpërndahen 300 të tjera. Këto kredi për shtëpi do të përfitohen nga efektivë të nivelit bazë dhe familjet e reja. Sipas një studimi të bërë rezulton se 900 punonjës policie kanë nevojë për banesë, nevoja këto që pritet të plotësohen brenda vitit 2025.

“Mbështetet gjithmonë ai që ka më shumë nevojë . Ne e kemi filluar nga poshtë mbështetjen, qoftë për rritjen e pagave ashtu edhe për mbështetjen me kredi të butë. kjo është një mbështetje për familjet e reja ata që nuk e kanë një banesë apo jetojnë në shtëpi të mbipopulluara.“-shprehet zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj. Për përfituesit e 300 kredive të reja për 2024 pritet që të ketë një ndryshim edhe përsa i përket kufirit të moshës.

“Ne duam ta rritim nga 40 vjeç që ishte në 45 sepse na rezulton se dhe kjo kategori ka një potencial sh të madh për të shërbyer në policinë e shtetit dhe ka nevojë për mbështetje”. Kjo mbështetje u është dhënë edhe mjekëve dhe ushtarakëve të cilët kanë përfituar kredi të buta me normë interesi zero.