Më 16 janar, një platformë pak e njohur, e quajtur ‘E Vërteta e Njerëzve’ (The People’s Truth) ka publikuar incizime të telefonatave private në mes të disa ukrainasve, duke diskutuar blerjen e drogave siç janë marihuana, MDMA, dhe metamfetamina, si dhe një video, në të cilën janë parë disa njerëz duke përdorur narkotikë, në një shtëpi pushimi.
Personat në video kanë punuar si operatorë kamerash për Bihus.Info, një medium i pavarur për hulumtime, me bazë në Kiev, i cili ka publikuar disa prej analizave më të fuqishme për korrupsion për elitën ukrainase, në dekadën e fundit. Duke e publikuar videon në kanalin e platformës People Truth në YouTube, me titullin “Ana tjetër e Bihus.Info”, videoja ka pasur për qëllim që të diskreditojë portalin, kanë thënë gazetarët ukrainas dhe vëzhguesit e mediave. Dy ditë më herët, disa burra të paidentifikuar kanë tentuar të hyjnë me forcë në shtëpinë e Yuriy Nikolovit, kryeredaktorit të Nashi Hroshi, një faqeje tjetër online, të njohur për analiza të thella për shpenzimet qeveritare.
Ata kanë kërkuar që Nikolovi t’i bashkohet ushtrisë për të luftuar kundër pushtimit rus. Këto raste janë pjesë e një serie të fushatave me presion që shënjestrojnë gazetarët ukrainas, duke rritur shqetësimet për një problem sistematik. Kërcënimet zakonisht bëhen prej llogarive anonime në mediat sociale si Telegrami, duke e bërë të vështirë që të gjendet fajtori.
Mediumet e ndryshme dhe grupet vëzhguese dyshojnë për përfshirje qeveritare, përfshirë administratën e presidentit Volodymyr Zelensky. Daria Zarivna, këshilltare e lartë për Andriy Yermakun, shefin e stafit të presidentit Zelensky, e ka hedhur poshtë mundësinë për lidhje të pushtetit me kanalet anonime në Telegram. Dy incidentet vijnë në një moment kritik për Zelenskyn, i cili po tenton të bindë Shtetet e Bashkuara dhe Evropën që të vazhdojnë të ndajnë ndihmë për Ukrainën, që ky vend të mund të luftojë pushtimin rus.
“Ne, si shtet, jemi duke mbrojtur demokracinë, duke mbrojtur vlerat. Ne jemi demokraci duke e luftuar djallin. Dhe sërish, përballemi me kësi gjërash që janë në kundërshtim me vlerat që ruajmë”, ka thënë Oksana Romanyuk, drejtore në Institutin për Informim Masiv, me bazë në Kiev, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Denys Bihus, themelues i Bihus.Info, ka thënë se rishikimi i videove dhe thirrjeve telefonike, të postuara nga platforma The People’s Truth, sinjalizon që punëtorët e saj kanë qenë nën vëzhgim nga më shumë se 30 individë për disa muaj, nëse jo vite. Ai ka thënë se dikush ka instaluar kamera vëzhgimi në dhomë, një ditë pasi që punëtorët kanë arritur në pushimore. Bihus ka thënë se dyshon që shërbimet ukrainase të inteligjencës kanë qenë mbrapa vëzhgimit. Autoritetet për zbatim të ligjit kanë nisur hetime për incidentin. Nikolov, po ashtu, e ka akuzuar shtetin se ka qenë mbrapa vizitës kërcënuese në banesën e tij, duke e quajtur atë veprim “përgjigje qeveritare ndaj kritikave për presidentin”. Nikolov ka publikuar një prej materialeve më të fuqishme më 2023 në Ukrainë, kur ka raportuar se Ministria e Drejtësisë ka blerë vezë për trupat ushtarake, me çmim të fryrë.
Yaroslav Yurchyshyn, zëvendës i partisë opozitare Holos, dhe udhëheqës i Komitetit për Liri të Shprehjes në Parlamentin e Ukrainës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se incizimet dhe vëzhgimet e punëtorëve të Bihusit, kanë qenë “veprime ilegale” dhe ka bërë thirrje për hetime. Mediarukh, organizatë që përbëhet prej gazetarëve dhe ekspertëve të mediave, i ka quajtur këto veprime, “shkelje e pastër e të drejtës së gazetarëve për privatësi”, dhe ka thënë se ata po minojnë kredencialet demokratike të Ukrainës. Gjatë një deklarimi më 17 janar, Zelensky ka thënë se presioni ndaj gazetarëve është i “papranueshëm”.
Disa orë më vonë, Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës, ka thënë se ka nisur hetime për veprimet që kanë shënjestruar Bihus.Info. Mirëpo disa gazetarë dhe analistë mediash janë duke kërkuar më shumë. Romanyuk i ka bërë thirrje Zelenskyt që personalisht të mbikëqyrë hetimin për këto incidente. Për dekada, kritikët qeveritarë kanë thënë se sistemi i drejtësisë nuk funksionon në Ukrainë, kur bëhet fjalë për hetim dhe ndëshkim të krimeve të kryera prej njerëzve në pushtet. Në deklaratën e 17 tetorit, Mediarukh ka thënë se edhe mediat tjera, përfshirë Ukrayinska Pravda, NV, Tsenzor, Vavilon dhe Liga.net, janë përballur me presion të ngjashëm.