Rasti Sanduloviç mund të klasifikohet si një ngatërresë misterioze politike: si u gjend lideri i një partie margjinale në qendër të mosmarrëveshjes serbo-kosovare?

Dyshohet se gjithçka ka nisur më 2 janar, kur Nikola Sanduloviq ka postuar në rrjetin social X një video nga vizita e tij në kompleksin “Adem Jashari” në Kosovë, ku ka vendosur një kurorë me lule te monumenti, ku në vitin 1998 u vranë 50 anëtarë të familjes së Adem Jasharit, njërit prej themeluesve të UÇK-së.

Kryetari i Partisë Republikane u arrestua një ditë më vonë dhe përfundoi në paraburgim për shkak se, siç njoftoi Prokuroria e Lartë në Nish, “dyshohet se ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”.

Avokati i Sanduloviqit, Çedomir Stojkoviq, deklaroi se “Sanduloviq është marrë në pyetje për katër orë në ambientet e Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), gjatë së cilës është rrahur brutalisht”. Dyshohet se disa herë ka humbur ndjenjat dhe në fund i ka mbetur pa ndjenja gjysma e djathtë e trupit, ndaj është dashur të transferohet në Akademinë Mjekësore Ushtarake (VMA) në Beograd.

Ai u ndalua në Nish në kundërshtim me rregullat, shpjegoi avokati i tij, sepse Burgu Qendror në Beograd tha se gjendja e tij shëndetësore është e tillë që ai nuk mund të transportohet në Beograd. “Arsyeja e caktimit të paraburgimit është rreziku i përsëritjes së veprës penale, i cili është i pakuptimtë. Ai vendosi lule mbi varrin e një fëmije shtatë vjeçar. E çfarë nuk është këtu sipas ligjit?”, tha avokati Stojkoviq.
Vulini ka dhënë urdhër?

Meritën për arrestimin e tij e ka marrë mbi vete Aleksandar Vulin, tashmë ish-drejtor i BIA-s, i cili ka bërë të ditur se “Nikola Sanduloviq është arrestuar me urdhër të tij, me dyshimin se ka përkrahur aktivisht shkëputjen e Kosovës dhe ka cenuar rendin kushtetues të Serbisë”. Vulin deklaroi se ndalimi është kryer me urdhër të tij, i cili ka mbetur në fuqi edhe pas dorëheqjes së tij.

“Nëse Sanduloviq do të kishte vendosur një kurorë në varrin e Himmlerit, Mossadi do ta kishte vrarë. Nëse ai do të kishte vendosur një kurorë në varrin e Osama bin Ladenit, CIA do të kishte ardhur për ta kapur. Me vendosjen e kurorës me lule në varrin e vrasësit serb Adem Jasharit, Sanduloviq është ndaluar me urdhër timin dhe me urdhër të prokurorit”, ka thënë Vulin, i cili “i ka kërkuar falje Serbisë” që nuk ka mundur të bëjë asgjë më shumë se kaq.

Avokati Çedomir Stojkoviq beson se deklarata e Vulinit është “gënjeshtër dhe përpjekje për të marrë përgjegjësinë”, sepse, siç thotë ai, “Vulin u detyrua të japë dorëheqjen dy muaj para postimit të diskutueshëm në Twitter. Kjo është një deklaratë e dakorduar mesVuçiqit dhe Vulinit, i cili tani (në mënyrë të rreme) merr përgjegjësinë për gjithçka që i shkakton dëm ndërkombëtar regjimit të Aleksandar Vuçiqit”.
Rusët, hungarezët, Trumpi dhe këngëtaret
Nikola Sanduloviq është padyshim një personazh kontrovers politik dhe publik, i cili ka një histori të gjatë të paraqitjeve konfliktuoze. “Partia Republikane” është e regjistruar si parti që përfaqëson interesat e pakicës kombëtare hungareze në Serbi.

Edhe pse Sanduloviq publikisht e mbështet Donald Trumpin dhe është pro anëtarësimit të Serbisë në NATO, në prag të zgjedhjeve të vitit 2016, drejtori i Partisë Republikane mori pjesë në mbledhjen e nënshkrimeve të falsifikuara për Partinë e Bashkuar Ruse për para, e për këtë shkak janë ndaluar madje edhe disa këngëtare të muzikës folk në Serbi. Në mars të vitit të kaluar, Sanduloviq, në emër të Partisë Republikane, nënshkroi një marrëveshje me Faton Kurtin, presidentin e Partisë Republikane të Kosovës, e cila parashikon njohje reciproke ndërmjet Serbisë dhe Republikës së Kosovës, si dhe hyrje të përbashkët në BE dhe NATO.
Ai mori vëmendje më të gjerë mediatike në vitin 2014 kur ndërpreu prezantimin e kryeministrit të atëhershëm Aleksandar Vuçiq në sallën e London School of Economics. Ai u prezantua si ish-këshilltar i Zoran Gjingjiqit, ndonëse zyrtarisht u regjistrua se ai ishte pjesë e sigurimit të Gjingjiqit vetëm për një periudhë. Ai nxori një disk në opinion për të cilin thoshte se në të kishte dëshmi të parregullsive zgjedhore. Meqë ra fjala, në vitin 2001, Sanduloviq përfundoi në Librin e Bardhë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, si pjesëtar i grupit kriminal të Zvezdarës.

Mysafir i nderuar në Kosovë
Edhe pse ai drejton një organizatë të vogël politike, Nikola Sanduloviq krenohet publikisht me lidhjet e tij të forta me republikanët amerikanë, e ai është i mirëpritur në një nivel të lartë politik edhe në Prishtinë. Vitin e kaluar në shkurt ai u prit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Interesant është fakti se ai me këtë rast, siç thuhej në lajme, ka vizituar edhe Qendrën Përkujtimore Adem Jashari. Prandaj, mbetet pyetja nëse postimi i fundit i Sanduloviqit është në fakt një video e vitit të kaluar, dhe pse u arrestua tani dhe jo më parë?
Edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka komentuar, siç tha ai, “rrahjen e ashpër” të liderit të Partisë Republikane, Nikola Sanduloviq, “nga shërbimi sekret serb” dhe ka vlerësuar se “ky është tregues se çfarë do t’u ndodhë qytetarëve të Serbisë nëse guxojnë ta pranojnë të vërtetën dhe të përpiqen për pajtim”.
“Jam thellësisht i shqetësuar nga raportimet se lideri i opozitës serbe, Nikola Sanduloviq është i paralizuar për shkak të një rrahjeje të rëndë nga shërbimi sekret serb. Kjo vjen pas kërkimfaljes së tij për krimet e kryera nga Serbia gjatë fushatës gjenocidale në Kosovë”, ka shkruar Kurti në platformën X.

Reagimet nga BE dhe Londra
Siç raportojnë mediat, institucionet e Bashkimit Evropian janë duke e monitoruar situatën në lidhje me Nikola Sanduloviqin. Zëdhënësja e Komisionit Evropian Ana Pisonero thotë: “Është e rëndësishme të kemi fakte plotësisht të qarta për rastin. Presim që të respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve. Çdo ndalim duhet të bazohet në dyshimin e arsyeshëm se është kryer një vepër penale dhe të gjitha pretendimet e besueshme për dhunë duhet të ndiqen efektivisht nga autoritetet përkatëse”.

Për këtë ka folur edhe ministri i Jashtëm britanik, David Cameron, i cili së fundmi ka vizituar Kosovën. Duke iu përgjigjur pyetjes së kryetares së Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik, Alisha Cairns, për arrestimin e Sanduloviqit, Cameron tha se ishte në dijeni për këto raporte dhe vlerësoi se ato janë “jashtëzakonisht shqetësuese”./ DW