Një ndërhyrje e vështirë kirurgjikale është realizuar në Spitalin Bashkiak “Dr. Stefan Gjoni” të Krujës. Lajmin e ka ndarë në rrjetet sociale ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, sipas të cilës ky operacion u krye falë bashkëpunimit të mjekëve në Spitalin e Krujës me Spitalin Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” dhe Qendrën Spitalore Rajonale të Tiranës “Shefqet Ndroqi”.
“Në Spitalin Bashkiak “Dr. Stefan Gjoni” të Krujës, falë bashkëpunimit me Spitalin Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” dhe Qendrës Spitalore Rajonale të Tiranës (QSR e Tiranës “Shefqet Ndroqi”), është kryer një ndërhyrje kirurgjikale e shkallës së lartë të vështirësisë, hysterectomy tek një paciente, e cila tashmë gëzon shëndet të plotë”, shprehet ministrja.
Koçiu falënderon mjekët dhe infermierët për punën e tyre të mirë dhe të përkushtuar dhe thekson se ofrimi i shërbimit sa më pranë vendbanimit mbetet një nga synimet kryesore.
“Mjekë me përvojë nga spitale të ndryshme bashkëpunojnë për të bërë më të mirën tek pacientët”.