Prokuroria e Tiranës, në një komunikim për mediat për “21 Janarin”, njofton po po verifikon faktet e bëra publike nga gazetari Artan Hoxha në emisionin “Zona Zero”.
Oficerët e Seksionit të Krimeve ndaj Jetës kanë kryer edhe veprimet hetimore për faktet e publikuara nga gazetari në 20 janar të vitit 2023 në Top News.
Lidhur me kasetën audio, është pyetur Artan Hoxha edhe familjarët e viktimës Aleks Nika, të cilët sipas gazetarit, disponojnë materialin audio. Por në deklarimet e dhëna prej tyre është evidentuar se ky material nuk do të dorëzohej në funksion të hetimeve që zhvillon Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, por para Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, në momentin që ky procedim do të hetohet prej tyre, thuhet më tej në komunikatë.
Ndërkohë, Prokuroria do të dërgojë për ekspertizë pranë autoriteteve të huaja, provat e sekuestruara gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes dhe kqyrjes së viktimës Aleks Nika.
Njoftimi i plotë:
Duke marr shkas nga interesimi i mediave të ndryshme, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës
së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë është duke kryer veprimet hetimore në lidhje me
procedimin penal Nr.285 I vitit 2011, (i rifilluar), aktet e të cilit bëjnë fjalë për ngjarjen e
ndodhur më datën 21.01.2011, gjatë së cilës kanë gjetur vdekjen shtetasit Ziver Veizi, Faik
Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.
Në datën 18.04.2012, është vendosur ndarja nga procedimi penal dhe dërgimi për gjykim në
Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, i çështjes së numërtuar 285/21, të viti 2012, i materialeve
për të pandehurit Ndrea Prendi akuzuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera
cilësuese”, e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, parashikuar nga neni
79 gërma “ë” i K.Penal, me pasojë vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj dhe të pandehurit Agim
Llupo, akuzuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer kundër dy ose
më shumë personave”, parashikuar nga neni 79 gërma “dh” i K.Penal, me pasojë vdekjen e
shtetasve Hekuran Deda e Ziver Veizaj, si dhe plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Erald
Bisha, Sokrat Gode. Për gjykim në këtë procedim janë dërguar edhe materialet në ngarkim të
të pandehurit Margarit Kume, i akuzuar për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e
së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.
Në funksion të hetimeve të zhvilluara nga ana e policisë gjyqësore u kryen të gjithë veprimet e
nevojshme hetimore, por nuk u bë e mundur që të identifikohet se cilët janë personat që kanë
vrarë shtetasit Aleks Nika dhe Hekuran Deda, si dhe plagosur shtetasit Fatos Mahmutaj, Sokrat
Gode, Erald Bisha, Artes Dybeli, Ilia Qesko e Ilia Papa. Në kushtet kur ishin kryer të gjitha
veprimet e mundshme hetimore dhe autori i veprës penale nuk njihet, me vendim të datës
28.02.2020, prej Prokurorëve të çështjes është vendosur që hetimet të pezullohen duke i kaluar
aktet e procedimit penal nr.285, të vitit 2011, për ndjekje të mëtejshme në Drejtorinë Vendore
të Policisë Tiranë.
Në datën 02.04.2021, është vendosur rifillimi i hetimeve të pezulluara dhe kryerja e veprimeve
hetimore me qëllim zbulimin e autorit të vrasjes së shtetasit Aleks Nika, si dhe Hekuran Deda,
për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin Nr.100, të shpallur në
dt.07.02.2013, ka vendosur deklarimin të pafajshëm të pandehurit Agim Llupo, për kryerjen e
veprës penale të “Vrasjes me dashje, të kryer kundër dy ose më shumë personave”, me pasojë
të drejtpërdrejtë vdekjen e të ndjerit Hekuran Deda.
Me kryerjen e veprimeve hetimore të këtij procedimi penal janë ngarkuar Oficerët e Seksionit
të Krimeve ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, të cilët krahas detyrave të
urdhëruara prej prokurorëve të ngarkuar me hetimin, kanë kryer edhe veprimet hetimore të
deleguara prej prokurorit në lidhje me verifikimin e fakteve të publikuara prej shtetasit Artan
Hoxha, fakte të bëra publike prej tij në emisionin “Zona Zero”, më datën 20.01.2023, në
televizionin “Top Channel”.
Me qëllim disponimin e provës materiale, kasetë audio, sipas kërkesave procedurale ligjore
është pyetur shtetasi Artan Hoxha, me detyrë gazetar, si edhe familjarët e viktimës Aleks Nika,
të cilët sipas shtetasit Artan Hoxha, disponojnë materialen audio. Por në deklarimet e dhëna
prej tyre është evidentuar se ky material nuk do të dorëzohej në funksion të hetimeve që
zhvillon Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë,
por para Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, në momentin që ky procedim do të hetohet
prej tyre.
Në funksion të hetimeve të zhvilluara prej prokurorit është vendosur të bëhet vlerësimi dhe
ekspertimi i provave të sekuestruara gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes dhe kqyrjes së viktimës,
duke iu drejtuar autoriteteve kompetente të huaja, prej të cilëve për shkak të sensibilitetit dhe natyrës së çështjes është kërkuar konfidencialitet.
Duke kujtuar respektimin e garancive të një procesi që është në hetim, bëjmë me dije se gjatë
hetimeve që do të kryhen do të mbahen parasysh edhe aktet e Gjykatës Europiane për të Drejtat
e Njeriut, që kanë lidhje me këtë procedim penal.