Tetë orë rrugë në këmbë, mes dëborës, ngricave dhe shkëmbinjve, për të çuar fjalën e Zotit në Currajn e Epërm të Tropojës, fshatin më të izoluar të veriut, me vetëm dy banorë. Dom Gabriel Grabanica është prifti nga Ulqini, i cili në 19 janar ndërmori një sfidë të rrezikshme vetëm për të mbajtur meshën e shenjtë të festës tradicionale të kësaj zone, Shën Sebastianit.
Në një kohë që i gjithë vendi është përfshirë nga temperaturat e ulëta, duke sjellë izolimin e fshatrave, prifti u nis së bashku me miqtë e tij për të mbërritur në këtë zonë kaq të thellë, në të cilën jetojnë vetëm dy banorë, nuk ka energji elektrike, valë telefoni dhe as rrugë për mjetet.
Edhe rruga e kuajve e përshtatur si rrugë për këmbësorët, është aq e rrezikshme, sa grupi është detyruar të kalojë përmes përrenjve, me prurje të mëdha. Pas 8 orëve ecje, Dom Gabrieli mbërriti te kisha në Curraj të Epërm, ku mbajti meshën e shenjtë.
Këtë rrugëtim, Dom Gabriel Grabanica e bën çdo vit, edhe pse fshati gjatë dimrit ka vetëm dy banorë.