Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se vendi i tij këtë vit do të përballet sërish me një fqinj të vjetër, i cili “po përkeqësohet”.
Kreu i qeverisë, në mbledhjen e qeverisë që po zhvillohet ditën e sotme, ka përmendur mes të tjerash edhe arrestimet e qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe në kufi. Ai i ka konsideruar të tilla ngjarje dashakeqe dhe të qëllimshme nga ana e Beogradit.
“Megjithatë, përkundër ndryshimeve pozitive e progresiste për vendin tonë, edhe ky vit po na e trashëgon një fqinj të vjetër, i cili po përkeqësohet. Javën e kaluar, dy qytetarë të Republikës së Kosovës, Hasan dhe Xhavit Dakaj u ndaluan dhe u arrestuan në kufi me Serbinë. Hasan Dakaj edhe sot vazhdon të mbahet atje padrejtësisht dhe në mënyrë arbritrare. Kjo nuk është hera e parë dhe as nuk paraqet një rast të izoluar. Kjo është një sjellje e qëllimshme dashakeqe e Serbisë që bie ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, tha Kurti.