Përpjekjet e Kinës për të sulmuar infrastrukturën jetike amerikane përbëjnë një rrezik urgjent që duhet trajtuar menjëherë, thuhet në një paralajmërim të ri të njërit prej zyrtarëve më të lartë të agjencive amerikane të zbatimit të ligjit.
Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, informoi ligjvënësit se hakerët e qeverisë kineze po sulmojnë në mënyrë aktive rrjetin energjetik të Amerikës, stacionet e përpunimit të ujërave të zeza, tubacionet e gazit dhe sistemet e transportit.
“Rreziku që përbën për çdo amerikan, kërkon vëmendjen tonë – tani”, thuhet në një dëshmi të parapërgatitur të zotit Wray, të qarkulluar përpara seancës dëgjimore të së mërkurës në Kongres në lidhje me konkurrencën me Kinën.
“Hakerët e Kinës po pozicionohen ndaj infrastrukturës amerikane në përgatitje për të shkaktuar kaos dhe dëm real ndaj shtetasve dhe komuniteteve amerikane, kur dhe nëse Kina do të vendosë se ka ardhur koha për të goditur”, tha zoti Wray.
Drejtori i FBI-së gjithashtu thotë se Pekini po bën fushata kibernetike për të kufizuar liritë në Shtetet e Bashkuara, “duke u shtrirë brenda kufijve tanë, në mbarë Amerikën, për të heshtur, për të shtrënguar dhe për të kërcënuar shtetasit tanë dhe banorët”.
Ambasada kineze nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Paralajmërimi i së mërkurës për përpjekjet kibernetike të Kinës ndaj infrastrukturës jetike amerikane nuk është i pari paralajmërim i bërë nga zyrtarët më të lartë amerikanë.