Një juri gjyqësore në Nju Jork vendosi që ish-Presidenti Donald Trump t’i paguajë 83.3 milionë dollarë shkrimtares E. Jean Carroll, për komente diskretituese ndaj saj, gjatë kohës që ishte president, në vitin 2019.

Zonja Carroll paditi zoti Trump për dëmtim reputacioni, duke e quajtur atë gënjeshtare, pasi ajo e akuzoi për përdhunim dekada më parë. Rastin, zonja Carroll e publikoi në një libër me kujtime, në të cilin shkruante se në vitin 1996, zoti Trump e përdhunoi në një dyqan luksoz të qytetit të Nju Jorkut.

Zoti Trump i cili ishte i pranishëm në pjesën më të madhe të gjyqit, por jo për të dëgjuar vendimin, njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se do ta apelojë atë.

Në muajin maj të vitit të kaluar një tjetër juri e shpalli zotin Trump fajtor për abuzim seksual dhe e urdhëroi atë të paguante 5 milionë dollarë. Zoti Trump e ka apeluar vendimin.

Gjyqi i dytë për shpifje, lidhet me komentet e zotit Trump ndaj zonjës Carroll, kur ai ishte president dhe juria do të përcaktonte vetëm sa para do të duhej t’i paguante zoti Trump shkrimtares. Bëhet fjalë për dy deklarata që ai kishte bërë, si përgjigje ndaj pyetjeve të gazetarëve, referuar pjesëve nga libri me kujtime i shkrimtares Carroll.

Ish-presidenti vazhdon të këmbëngulë se akuzat ndaj tij janë të rreme.

Vendimi u dha të premten nga një juri prej 9 anëtarësh, shtatë burra dhe dy gra. Zoti Trump mori pjesë rregullisht në seancat e procesit të dytë gjyqësor. Por sot ai u largua papritur nga salla ndërsa avokatja e zonjës Carroll po mbante argumentet përfundimtare. Më pas ai u kthye për të dëgjuar argumentet mbyllëse të avokates së tij.

Zoti Trump nuk mori pjesë në gjyqin e parë ndaj tij. Më vonë ai shprehu keqardhje dhe këmbënguli të dëshmonte në gjyqin e dytë, por gjykatësi e kufizoi ish-presidentit, duke thënë se ai e kishte humbur rastin për të argumentuar se ishte i pafajshëm.

Të enjten, një ditë para vendimit të jurisë, zoti Trump u ul vetëm për disa minuta në karrigen e dëshmitarit, kohë gjatë së cilës ai mohoi të kishte sulmuar zonjën Carroll, më pas u largua nga gjykata duke thënë: “kjo nuk është Amerika”.

Gjatë argumenteve përmbyllëse avokatja e zonjës Carroll, Roberta Kaplan, i kërkoi jurisë që ta ndëshkonte zotit Trump aq sa duhej, në mënyrë që siç tha ajo të ndalej një rrjedhë e vazhdueshme deklaratash publike, që kanë njollosur zonjën Carroll duke e etiketuar atë si gënjeshtare.

Ishte ky momenti që zoti Trump doli nga salla e gjyqit. Po sot gjykatësi i çështjes paralajmëroi se do ta dërgonte në burg avokaten e zotit Trump, Alina Habba, për shkak se ajo vazhdonte të fliste edhe pse ai e kishte njoftuar se koha e saj kishte mbaruar. Avokatja Habba iu bind kërkesën së gjykatësit.

Vendimi i së premtes i jurisë vjen ndërsa zoti Trump po shkon drejt fitores për të tretën herë radhazi në garat paraprake për president. Ai ka kërkuar t’i kthejë proceset ndaj tij në një avantazh, duke i cilësuar ato si dëshmi të një sistemi që po përdoret politikisht kundër tij.

Megjithëse nuk ka asnjë provë që Presidenti Joe Biden ose dikush në Shtëpinë e Bardhë të ketë ndikuar në ndonjë nga rastet ligjore kundër tij, linja e argumentimit të zoti Trump, ka rezonuar me mbështetësit e tij më besnikë, të cilët i shohin proceset me skepticizëm. /VOA/