Dy persona kanë mbetur të plagosur pas shpërthimit të një granate dore në afërsi të një hoteli në në Mitrovicë të Veriut mbrëmjen e së hënës.
Policia tha se njëri nga të plagosurit ka marrë lëndime më të rëndë por është jashtë rrezikut për jetën. Nga shpërthimi janë dëmtuar edhe 7 makina.
“Rreth orës 23:50, dyshohet se ka shpërthyer një granatë dore te hoteli ‘Bisevac’ në Mitrovicë të Veriut. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar 7 vetura dhe dy persona janë lënduar, njëri prej tyre ka lëndime më të rënda, por jashtë rrezikut për jetë. Njësitet policore relevante janë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin”, ka thënë zëvendësdrejtori i policisë për veriun, Veton Elshani.