Shqipëria në top 10 e 24 vendeve për t’u vizituar gjatë vitit 2024. Ky është shkrimi më i fundit dedikuar vendit tonë nga media ndërkombëtare “CNN Travel”.

E vendosur në bregdetin e Adriatikut mes Greqisë dhe Malit të Zi, është për t’u habitur që Shqipëria nuk ishte kaq popullore si destinacion plazhi më parë, por çmimet e saj të përballueshme për portofolin e çdokujt kanë parë një lulëzim të turizmit gjatë viteve të fundit.

Në vitin 2023, një numër rekord italianësh u dyndën në të gjithë Adriatikun dhe Jonin për pushimet e tyre verore me kosto të ulët.


Media ndërkombëtare “CNN Travel” nënvizon në shkrim se në vitin 2024 pritet të hapet një aeroport i ri në Vlorë, në bregdet, që do të lehtësojë edhe më shumë udhëtimet në plazhe sidomos në rivierën e jugut.

Por, Shqipëria ofron shumë më tepër sesa bregdetin e saj sipas “CNN Travel”. Vendi ka një kulturë të pasur, duke përfshirë historinë e krishterë dhe myslimane, me qendra historike në qytete si Berati dhe Gjirokastra, si dhe peizazhe malore mahnitëse, ku Thethi është më i famshmi.

Në vitin 2023, Vjosa e Shqipërisë prej 270 kilometrash u shpall zyrtarisht parku i parë kombëtar i lumit të egër në Evropë.

Turistët e shumtë dhe jehona e mediave ndërkombëtare patën ndikim pozitiv në mbylljen e vitit 2023 me mbi 10 milionë turistë referuar shifrave zyrtare.