Shtëpia e Biznesit është struktura më e re në shërbim të dialogut të institucionalizuar mes qeverisë dhe biznesit, e vendosur pranë Kryeministrisë, në njërin prej kubave të Piramidës, e cila çeli dyert për të mirëpritur sipërmarrësit në adresimin e problematikave të tyre, por edhe si pikëtakimi e përjavshme e sekretariateve teknike të Këshillit Ekonomik Kombëtar që do të ngrihen në vijim të punës.

“Këtu do të organizohen takime, do të ketë persona të posaçëm për të qëndruar këtu, për të mbledhur problematikat tuaja dhe për t’i adresuar ato nëpërmjet të gjithë strukturave shtetërore. Duhet ta shihni këtë shtëpi, si shtëpinë tuaj, ku mendimet të jepen në mënyrë informale, të thjeshtë, jo burokratike dhe të jetë kjo dera juaj për të zgjidhur problematikat që keni me institucionet shtetërore.” – iu drejtua të pranishmëve Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj, në vizitën e zhvilluar në hapësirën e re, një ditë pas riaktivizimit të Këshillit Ekonomik Kombëtar.

Ndërsa Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij theksoi se “të krijuarit e një ure të tillë dhe të hapurit një dere të tillë, që është një derë e drejtpërdrejtë në tryezën e qeverisë, është rruga më e mirë, më e thjeshtë dhe më e shpejtë për të adresuar problemin.”

Fjala e plotë:

Shumë faleminderit. Po qëndroj ulur për ta bërë më pak ceremoniale dhe më familjare këtë bisedë.

Prej kohësh, në të vërtetë, ne kemi pjesë të strukturës të qeverisë një Ministër të Shtetit që i përkushtohet sipërmarrjes, por prej kohësh kemi edhe shqetësimin bashkë me pyetjen pse nuk ka më shumë ndërveprim mes sipërmarrjes dhe kësaj instance që në fakt është e ndërtuar për të qenë një derë avokatie për sipërmarrjen, një derë avokatie ku çdo sipërmarrës mund të trokasë për çdo problem që ka dhe problemet që ju keni janë të natyrave të ndryshme, që nga problemet që lidhen me legjislacionin e sektorit, që nga problemet që lidhen me institucione që i ndeshni në rrugën e procedurave të caktuara, deri tek problemet që janë krejtësisht individuale, të lidhura, në një hap të caktuar të punës, me një ngërç që krijohet për kompanitë tuaja, për njësitë tuaja, si rezultat i një ndërhyrjeje që duhet adresuar, qoftë kur është një ndërhyrje që sjell me vete një shprehje arbitrariteti në interpretimin e një procesi dhe qoftë kur është një ndërhyrje që sjell me vete dyshimin apo bindjen që është për arsye korruptive.

Unë kam besuar dhe besoj që të krijuarit e një ure të tillë dhe të hapurit një dere të tillë, që është një derë e drejtpërdrejtë në tryezën e qeverisë, është rruga më e mirë, më e thjeshtë dhe më e shpejtë për të adresuar problemin, e përsëris, çdo problem dhe e nënvijëzoj, çdo problem që është nga ato situatat e papëlqyeshme të përballjes me një interpretim të gabuar të administratës apo të përballjes me një person apo me një grup personash që shfrytëzojnë të qenit në funksionin publik për të penguar punën me qëllim që të marrin mbrapsht ryshfetin e tyre.

Tani, një pjesë e madhe e botës së ryshfetit është çmontuar me ndërveprimet digjitale, një pjesë e madhe e andrallave të sipërmarrjes është fashitur sepse shumë ndërveprime të detyruara për shkak të ligjit apo për shkak të proceseve të punës me shtetin, ju i bëni pa asnjë kontakt me askënd dhe shfrytëzoni platformën e-Albania, por prapë se prapë, ka një pjesë tjetër të kësaj bote të vjetër të ryshfetit që është akoma gjallë dhe është e pakuptueshme për mua, sinqerisht, që një sipërmarrës që ka përgjegjësi të madhe, jo vetëm për veten dhe familjen e vet, por edhe për një numër të caktuar punonjësish dhe për familjet e tyre të ngurrojë që të përballet me situata të kësaj natyre në rrugën më të shkurtër dhe në rrugën më të drejtpërdrejtë duke u përballur me vetë qeverinë dhe qeveria e ka krijuar këtë mundësi sepse ka krijuar këtë figurë si pjesë të kabinetit dhe kjo shtëpi e biznesit, – emrin ia ka vënë Delina, nuk ta marr meritën, – pra kjo hapësirë e pagëzuar si Shtëpia e Biznesit në fakt ka lindur nga dëshira e paepur që ne t’ia dalim në realizimin e këtij qëllimi, por edhe nga ideja që mbase vetë fakti që duhet të nisesh të takosh ministrin përkatës, i cili është në një godinë qeveritare e pastaj duhet të kalosh hallka e të tjerë, ka qenë një pengesë. Kështu që ne kemi krijuar këtë hapësirë ku nuk ka asnjë procedurë dhe asnjë proces për të kapërcyer pragun e derës në mes të harkut, ngjitur me derën e Kryeministrisë, ku është edhe zyra dhe administrata e Ministrit të Shtetit dhe ku do të jenë këtu në këtë hapësirë personat që do të jenë pjesë e strukturës së Sekretariatit të Këshillit Ekonomik Kombëtar, por që vetvetiu pjesë edhe e stafit të ministres në sensin e ndërveprimit.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ekonomik Kombëtar nuk është staf i ministres në kuptimin formal, por është staf i ministres në kuptimin praktik. Pra, është lidhja më e shkurtër dhe më e drejtpërdrejtë mes komunitetit dhe qeverisë që garantohet përmes Sekretarit të Përgjithshëm nga ana e Komitetit dhe ministres nga ana e qeverisë.

Pra, besoj që mund ta them me plot gojën që ne jemi një staf këtu dhe unë do t’iu lutesha ju dhe gjithë atyre që na dëgjojnë dhe që janë sipërmarrës që të na vënë në provë, të na vënë në provë, pastaj nëse prova dështon, atëherë rrugët e vjetra, dyert anësore, korridoret telefonike me të njohur e me miq, – ju i dini përmendësh se ka 30 e ca vite që i keni rrahur ato rrugë për arsye të kuptueshme, – ama, duhet të na vini në prove dhe unë jam i bindur që kjo do jetë me një përfitim të madh të përbashkët.

Jam i bindur që nga kjo do të përfitoni ju sepse nuk do keni nevojë të rrini të prisni një përgjigje me javë ose me muaj të tërë, nuk do keni nevojë që për të marrë atë përgjigje që ju takon ta merrni të bëni xhiro telefonike apo xhiro kafesh për të gjetur se kush është njeriu që do ta nxjerrë atë përgjigje nga penxherja se nga dera nuk del dhe nga ana tjetër, ne do kemi mundësi që t’ju shërbejmë më mirë dhe të reagojmë ndaj situatave që krijohen.

Unë nuk e kuptoj dot, sinqerisht, kur na ndodh ndonjëherë që të komunikojmë me ndonjë sipërmarrës që ka një problem me administratën ose kur më ndodh, më ka ndodhur më parë që të më shkruajnë sipërmarrës të panjohur nga zona të tjera të vendit që ndeshen, që janë ndeshur me arbitraritetin e inspektorëve, që kur i thua “Më thuaj cilët ishin dhe hajde të ndërveprojmë bashkë që këta njerëz të marrin përgjegjësi dhe të largohen nga kjo punë” e “Jo, po se nuk dua t’i bie në qafë njeriu”. Këtë nuk e kuptoj, sinqerisht, se nuk dua t’i bie në qafë dikujt që po të bie në qafë dhe nuk po të bie në qafë si trim, por po të bie në qafë si një burracak që shfrytëzon të pasurit e një firme në një tefter X të shtetit për të penguar ty.

Këtë unë nuk e kuptoj dhe jam i bindur që asnjë nga ju nuk do më ndihmojë që ta kuptoj, por do t’iu lutesha shumë që këtë ta shikojmë si një mundësi.

Delina është një individ me shumë dëshirë për punë dhe me shumë energji dhe vullnet për punë dhe qysh se ka filluar këtë detyrë të re ma ka bërë shumë të qartë që do ta bëjë këtë detyrë për të bërë këto gjëra të mundura dhe jo thjesht për të qenë në një detyrë.

Po kështu, rasti i Arbenit që na garanton në njëfarë mënyrë një konsensus politik në këtë punë, dhe është një nga njerëzit, sipas meje, me njohurinë më të thellë për situatën e brendshme të komunitetit të biznesit dhe ka pasur një aktivizëm, unë e kam ndeshur në vijimësi në tryeza, ka pasur një aktivizëm që sigurisht është pjesë e dëshirës dhe një lloj vullnetarizmi se nuk është se, edhe ju që vini këtu sot ju falënderoj shumë sepse keni punë të mëdha për të bërë, vini nga një dëshirë më e madhe sesa thjesht një interes i drejtpërdrejtë i kompanisë tuaj që gjithsesi adresohet edhe pa ardhur këtu.

Pra, nëse ne arrijmë t’i bashkojmë këto forca me sukses dhe fola për ankesat e drejtpërdrejta, por natyrisht nuk janë ankesat e drejtpërdrejta thjesht arsyeja pse ne kemi zgjedhur dhe kemi ndërtuar këtë hapësirë, janë sfida shumë më të mëdha se kaq.
Procesi i Integrimit Europian. Jemi mësuar ta shohim si një proces të lidhur me qeverinë, si një proces të lidhur me detyrat e qeverisë, por tani që ne kemi hapur negociatat duhet të bëhet e qartë për të gjithë që nuk është qeveria e Shqipërisë që do të integrohet në Bashkimit Europian.

Qeveritë e Shqipërisë do shkojnë dhe do vijnë. Është Shqipëria dhe gjithë sistemi shqiptar, sistemi shqiptar publik, sistemi shqiptar provat dhe nëse ka një pjesë të këtij sistemi që duhet ta marrë shumë seriozisht integrimin europian, për hir të nevojës për të mbijetuar dhe për të bërë sukses është pjesa e sektorit privat.

Nëse ka një sfidë të sfidave për sistemin shqiptar që të bëhet pjesë e sistemit europian falë anëtarësimit të plotë të Shqipërisë është rezistenca e sektorit privat dhe aftësimi i këtij sektori, aftësimi i kompanive tuaja për të mos u fshirë nga harta sepse do të futet ky sistem i vogël shqiptar, me ato problematikat e veta, në një sistem të madh ku siç e kemi dëgjuar dikur, na thuhej për arsye të tjera, por vlen shprehja, “njeriu është ujk për njeriun”. Në kuptimin që çdo kompani, çdo realitet ekonomik i tregut është një ujk që kërkon prenë e vetë. Ndryshe nëse është dele, e ha ujku.

Ky Këshill Ekonomik sot ka një rëndësi më të madhe se asnjëherë tjetër, pikërisht për të mundësuar një ndërveprim që fillon nga informimi.

Sa i informuar është biznesi ynë për integrimin, e për çfarë po i vjen?

Se dakord, duam të integrohemi në BE, duam të bëhemi anëtarë sot, por a jemi të vetëdijshëm se çfarë po na vjen me këtë? Luan basketboll me Dinamon në Tiranë? Do të luash me Los Angeles Lakers, por a je i vetëdijshëm se çfarë do të thotë të shkosh të të jepet mundësia të provohesh nëse luan apo nuk luan dot me Los Angeles Lakers? Kështu që informimi, adaptimi.

Po ju flas për një temë që kemi folur jo më larg se dje me Delinën dhe me Arbenin. Një temë e dhimbshme. Situata e industrisë fasone në Shqipëri. Por kjo mjafton t’i referoheni çfarë kemi thënë, Delina në radhë të parë kur drejtonte Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe unë në evenimente të caktuara, por edhe më parë se sa Delina të merrte drejtimin, për këtë ditë që do vinte.

Kjo ditë nuk lidhet thjesht me euron. Është gabim. Është qasje komplet e gabuar ta shohësh këtë si një ditë që e solli forcimi i lekut dhe situata e re që kjo ka krijuar me euron. Jo! Kjo ditë do të vinte sepse koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues në treg ka vdekur prej kohësh. E kush e ka kuptuar prej kohësh që ajo kohë ka vdekur, në atë industri ka marrë masat për t’u adaptuar.

Kush nuk e ka kuptuar apo kush nuk i ka marrë masat për t’u adaptuar, sot e ka të pamundur të mbijetojë. Në këto kushte, t’i kërkosh qeverisë të të japë serume, është gabim. Pse? Sepse nuk ka serum që të shpëton dhe nga ana tjetër, qeveria nuk mund të përdorë taksat për të zgjatur agoninë e një organizmi që nuk e mban dot, nuk e kthen dot më në jetë. Është një vdekje klinike e sigurtë, por nuk është pa zgjidhje as për sipërmarrësit, as për personat. Zgjidhja është të adaptohesh! Të ndryshosh lojën! Të qasesh me qartësi dhe me forca të reja në një treg që është tjetër. Mjafton të shikosh ata që e kanë bërë këtë gjë, se fatmirësisht sot jemi në kushtet kur mund t’i lidhim fjalët me shembujt, pra nuk është diçka që e kemi ne të diskutuar teorikisht. Dhe nuk është as diçka që ne e kemi parë në vende të tjera dhe po themi hajdeni bëjeni dhe ju këtu. Jo! Është diçka që këtu ka aktorë të kësaj industrie që e kanë bërë dhe që janë sot konkurrues.

Nga ana tjetër, ne duhet si qeveri të shikojmë çfarë do t’ju ofrojmë ne atyre grave në Devoll që në rast se mbyllet një fabrikë sepse nuk ka bërë dot adaptimin, nuk ka futur dot elementë të tjerë për të përballuar këtë goditje, atëherë këta njerëz të kenë një mundësi të re dhe mundësia e re do të thotë që t’ju japim mundësinë që t’i përshtaten tregut e të përfshihen në të tjera aktivitete të kësaj ekonomie. Kjo është mundësia e re. Nuk është mundësia e re që t’i japim lekë nga buxheti për të mbajtur punëtorë në shtëpi, ndërkohë që fabrika është mbyllur dhe e sjell këtë shembull, sepse kjo po i ndodh sot një industrie që nuk arriti e gjitha të adaptohej me sfidën, por kjo mund t’i ndodhë nesër të gjithëve ju që jeni këtu, të gjithëve, pa përjashtim. Mund të ndodhi nesër në momentin kur ne bëhemi pjesë integrale e sistemit europian, sepse konkurrenca nuk është më me njëri-tjetrin, por konkurrenca është me të ngjashmit tuaj sipas sektorëve në një histori shumë më të gjatë, në një traditë shumë më të fortë me dituri shumë më të mëdha e të tjera.

Tjetra, dhomat e tregtisë. I kemi rënë vërdallë e vërdallë të paevitueshmes, sepse është një gjë që nuk imponohet dot e gjitha nga lart dhe prandaj kemi pritur që të piqen disa kushte që vetë komuniteti të kuptojë që kjo mënyrë organizimi ku secili bashkë me tre shokë bën Dhomën e vetë, është Bathorja e sipërmarrjes. Ne këtë e kemi bërë me të gjitha gjërat në vitet e lirisë, në kërkim të demokracisë.

Bathorja, të cilës i referohemi është vetëm njëra që është ajo që ne e dimë dhe që lidhet me ndërtimin kuturu, në një territor pa kanalizime, pa ujësjellës, pa asgjë, por ne kemi ndërtuar “Bathore” në çdo sektor të jetës edhe brenda pushtetit ekzekutiv. Mjafton të shikosh historinë e strukturave që janë ndërtuar e janë prishur e janë rindërtuar e ri prishur të organizimit të qeverisjes. Mjafton të shikosh historinë e dixhitalizimit e të kioskave që janë ndërtuar. Mjafton të shikosh e të shikosh, mund t’ju sjell shembuj pa fund, për të kuptuar se sa shumë e kemi paguar mungesën e traditës, mungesën e dijes, mungesën e organizimit, mungesën e koordinimit dhe mungesën e kuptimit që secili bën punën e vet, por të gjithë bashkë, duhet të ndërveprojmë që puna e secilit të bëhet më mirë.

Prandaj dhe ligjit i Dhomave të Tregtisë e prandaj dhe sistemi i Dhomave të Tregtisë duhet të bëhet një sistem europian, sepse jemi një vend që nuk kemi asnjë sistem. Kemi dhoma, dhoma, dhoma, por nuk kemi shtëpi. Nuk e kemi një shtëpi për biznesin. Kemi dhoma. Po ku është dhoma e pritjes? Nuk dihet! Janë të gjitha dhoma gjumi.

Atëherë, duhet ta bëjmë bashkë dhe kjo është një nga objektivat që kemi, apo jo? E të tjera që unë nuk dua ta zgjas, por thjesht dua t’ju them që mos e lini këtë hapësirë të pashfrytëzuar, se tani ne mund të vëmë këtu të gjithë vëmendjen tonë. Mund të vëmë këtu stafin që do të merret vetëm me sipërmarrjen. Mund të vëmë të gjitha forcat tona në dispozicion që t’i adresojmë çështjet tuaja, duke filluar nga ato më individualet e më të bezdisshmet që pengojnë punën tuaj të përditshme. Një rimbursim, një inspektim, një bllokim, një pritje pafund për një leje ku di unë, mjedisi, leje zjarri, leje zhurme, deri tek ato që lidhen me legjislacionin, por nëse ju nuk e merrni pjesën tuaj të pronësisë të kësaj shtëpie të biznesit, kjo do të mbetet një gjë e cunguar, prandaj duhet të na vini në provë dhe unë besoj që me Sekretarin e Përgjithshëm, kemi një shans më shumë, edhe ne, edhe ju, sepse e njeh mirë komunitetin tuaj dhe ne na shikon me sy kritik, edhe politik, edhe ekonomik. Çfarë doni më shumë ? Çfarë të bëjmë më shumë? Dje nuk e pata dot të mundur sepse kisha një impenjim tjetër dhe e hapën pa mua, më erdhi jashtëzakonisht keq, nuk e besoja dot që një anëtar i Këshillit Ekonomik që ishte në tryezë dje, ndërroi jetë. Juve, një pjesë e juaja e keni njohur, unë nuk e kam njohur personalisht, por kam dëgjuar fjalët më të mira për të, por kjo hyn në ato gjëra që jemi të ndaluar të kërkojmë të marrim informacion se nuk na jep informacion askush se si ndodh, as ardhja e as ikja nga kjo jetë. Kështu që, me shumë keqardhje, me shumë habi, i përcjell ngushëllimet – edhe kështu, meqë mu dha mundësia, – të gjithë atyre që e kanë pasur njeri të afërt, mik. Ai bënte shumë mentorime të të rinjve në tregun e punës dhe ishte shumë aktiv, përtej biznesit të vet edhe familjes natyrisht.

Gjithsesi, faleminderit që erdhët dhe që na dhatë mundësinë të hapim këtë derë dhe ditën sot, duke qenë ju të pranishëm, se siç thashë, është gjynah nëse do të mbetet një zyrë e pavizituar dhe e pa efektshme, realisht unë kam shumë besim që bashkëpunimi i Delinës me Arbenin dhe i qeverisë me Këshillin Ekonomik dhe me Sekretariatin e Përgjithshëm, na ka dhënë një mundësi të re. Tani, sa do ta shfrytëzojmë e sa do ta kthejmë në një numër të ri mundësish për punën tuaj, kjo varet nga ne, por varet në radhë të parë nga ju dhe nga gjithë ata që janë pjesë e komunitetit tuaj, por që nuk janë këtu të pranishëm.

* * *

E vërteta është që deri tek anëtarësimi (i Shqipërisë në BE) është një rrugë me shumë kthesa të forta pasi negociatat nuk janë një proces angazhimesh të shkruara që ne do t’i plotësojmë kur të hyjmë, janë një proces angazhimesh që ne do t’i plotësojmë për të hyrë, që do të thotë që duhet të bëjmë gati Shqipërinë me legjislacionin europian dhe gjithë parametrat e zbatueshmërisë së legjislacionit për të hyrë, që do të thotë që duhet të kalojmë ligje që do të afektojnë biznesin në mënyra nga më brutalet, përndryshe nuk hyjmë dot dhe kjo do të kërkojë, në radhë të parë, shumë më tepër informim, shumë më tepër përgatitje për adaptim sepse kjo që i ndodh sot industrisë fason për një arsye të ndryshimit të ADN-së të organizmit të ekonomisë sonë, mund t’i ndodhë çdokujt, në rast se nuk është i përgatitur për të vazhduar biznesin nën një ombrellë ligjore të re.

Mund t’i ndodhë çdokujt nëse, po themi, Arbeni me siguri mund të japë shembuj pafund, legjislacioni për tranzicionin e gjelbër miratohet se duhet pastaj një komplet tjetër kornizë për të vazhduar aktivitetin; certifikime, detyrime financiare.

Kështu që, për këtë arsye duhet realisht të filloni ta mendoni që tani që mos përfundoni asnjeri siç i ndodh atyre në industrinë fason që nuk e di se çfarë pritën për t’i dalë përpara kësaj që erdhi sot. Ka ndryshuar komplet gjithë struktura dhe infrastruktura dhe shembulli më i thjeshtë për t’u kuptuar që pse kjo histori është pa kthim dhe pse në këtë histori nuk duhet ngritur koka lart për të thënë “Shteti të vijë të na ndihmojë” është ky. Gratë që janë në fason, pjesa dërrmuese e tyre kanë qenë vajza të vogla, vajza të reja kur janë ulur përpara makinës qepëse. Sot janë nëna, janë gjyshe që iu ka ardhur dita e pensionit prej vitesh e do dalin në pension.

Tani, e shikoni dot ju me syrin e imagjinatës që një vajzë e të njëjtës moshë që kishte gjyshja apo nëna që sot del në pension, kur u ul tek makina qepëse, të shkojë të ulet tek makina qepëse? E shikoni dot ju me sytë e imagjinatës tuaj që një vajzë nga Devolli apo nga Kamza apo nga Paskuqani apo nga Lezha, të shkojë të ulet para makinës qepëse dhe të pranojë të bëjë të njëjtën punë që bëri nëna apo gjyshja e vet për kaq shumë vite, për një page, e cila është e ulët si avantazh konkurrues me të tjerët? Po nuk ndodh kurrë!

Unë e di dhe anën tjetër të medaljes që rritja e asaj page për të bërë të njëjtën punë, të çon po ashtu në falimentim. Atëherë çfarë është përgjigja? Nuk do të bësh të njëjtën punë? Do ta transformosh atë fabrikë në një fabrikë që do të bëjë ciklin e mbyllur, në një fabrikë që do t’i adaptohet ndryshe tregut, duke ruajtur eksperiencën që ke për pjesën që ke, por duke i shtuar kësaj eksperience elementë të rinj, përndryshe, se tregu është një ujk i madh. As nuk e zbut dot duke e trajtuar si qenin që do të mbarojë shtëpinë, as nuk e josh dot me asnjë formë tjetër, përveç se duke i rezistuar dhe duke qenë më i fortë se sa ai vetë. Kjo është. E thjeshtë, për t’u thënë, për t’u bërë, unë nuk jam sipërmarrës kështu që ky është halli i juaj.

Mua më dalin e më teprojnë ato të miat për këtë punë që bëj, kështu që të bashkërendojmë forcat e të mirëkuptojmë hallet e njëri-tjetrit për të ndihmuar njëri tjetrin që të kemi më pak halle. Kjo është gjëja, apo jo? Ai që kur i është adaptuar BE-së, është bërë më i suksesshëm si biznesmen, por është më i lodhur si figurë.

Shumë faleminderit dhe njëherë. Mos t’ju zgjasim se nuk duam t’ju mbajmë për debate, për biseda, se këto duhet t’i bëni me të gjithë ministrat.

Unë jam në dispozicion kur do të duhet të vij për të bërë ndonjë bisedë. Edhe këtë me industrinë fasone, mund t’i ftoni, unë jam i gatshëm që të vij që javës tjetër dhe në rastin e çështjes që folëm, organizoni diçka që në fillim të javës tjetër, ulemi e flasim e do të jetë mirë të ftojmë dhe ata që e kanë hallin, edhe ata që janë në atë sektor, por që nuk e kanë hallin në mënyrë që të ballafaqohen edhe eksperiencat e ndryshme. Që mos duket sikur kur flasim ne, se gjëja më e tmerrshme për mua është që të krijoj idenë sikur jap leksione. Nuk më takon, nuk di ta bëj, thjesht opinionet e mia janë opinione që formohen nga informacioni që marr nga bashkëpunëtorë apo nga të tjerë kur ulem për të bërë një bisedë, por sot shyqyr Zotit e shyqyr jush, ne kemi mundësinë që kur themi që “shiko dhe kështu, themi dhe që ja, e ka bërë ky e ka bërë ai. Shembujt e pararojës e të ndryshimit e të adaptimit i kemi shyqyr, në të gjithë sektorët. E ju jeni një pjesë e madhe e juaja jeni shembuj, prandaj po të jenë dhe ata, na ndihmon më shumë për ta bërë bisedën më konkrete.

Shumë faleminderit!