Juristja Brizida Gjikondi e cilëson hipokrite thirrjen e grupit të Sali Berishës dhe të Gazment Bardhit, drejtuar Lulzim Bashës për bashkimin e Partisë Demokratike. Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Gjikondi u shpreh se Bardhi nuk ka vizion dhe projekt, por është një preson i cili kapet kudo. Sipas Gjikondit, Berisha e ka thyer vendimin e SPAK, pasi ka mbajtur fjalime nga banesa e tij. Gjikondi shtoi se Berisha po trajtohet në mënyrë të privilegjuar dhe e konsideroi këtë një model negativ.
“Unë e quaj hipokrite si thirrje. Bardhi po përdor çdo lloj taktike, nuk ka një vizion, nuk ka një projekt, të kapë çfarë të kapë. Për sa kohë ishte Berisha, u kap pas Berishës. Bënte skandale, tani e ka lënë atë tezë, dhe gjoja tani është teza e bashkimit të opozitës. Mendoj se nuk quhet pelegrinazh kur bëhet me 30 veta, Bardhi nuk merr pjesë aty poshtë ballkonit të Berishës. Është e shtata herë që Berisha del në ballkon dhe thyen vendimin e SPAK dhe të gjykatës. Më duket skandaloze që prokurorët Millonai dhe Kraja nuk kanë denjuar që të zbatojnë këtë vendim. Vendimi thotë, i ndalohet Sali Ram Berishës komunikimi me persona të tjerë. Ky trajtim i privilegjuar ndaj një shtetasi agresdiv, sfidues, që del në ballkon dhe i quan prokurorët horra, është model negativ.
Kam një vlerësim personal për zotin Bejko, mendoj se është më kurajoz dhe dinjitoz se Basha. Besoj se edhe zoti Bejko, edhe Alibeaj janë më lart se Basha. Kemi parë që edhe në këto momente agresive, kanë qenë Bejko dhe Alibeaj që kanë perballur baltën e Berishës. Dëgjova për ndryshimet që janë promovuar nga pjesa politike e Partisë Socialiste, mendoj se ato ndryshime duhen riparë edhe një herë. Më duket shumë shqetësuese që të mendosh si të ndëshkosh, por asnjëherë të paralajmërosh. Ne kemi një parlament të pashëndetshëm, siç kemi një mazhorancë të pashëndetshme. Duhet riparë ideja për t’i kaluar ligjet, thjesht në mënyrë të përshpejtuar, apo që të kalojnë online. Do të doja që mazhoranca të shohë interesin e shqiptarëve dhe jo interesin e saj politik”, theksoi ajo.