Kanë kaluar tre muaj që nga dita kur Hamasi sulmoi pa paralajmërim Izraelin dhe rinisi dhe një herë luftën. Përplasjet kanë çuar në një krizë humanitare në Gaza teksa thirrjet për pauza vijojnë.

Ushtria izraelite e filloi ofensivën në enklavën palestineze pas sulmit të Hamasit më 7 tetor. Persona të armatosur vranë rreth 1200 njerëz dhe morën peng më shumë se 200 të tjerë.

Pas tre muajsh përplasjeje, më shumë se 22,700 banorë të Gazës janë vrarë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Disa nga momentet kyçe të luftës

7 tetor: Sulmi i Hamasit

Sulmi i papritur i Hamasit më 7 tetor është cilësuar si sulmi më i madh terrorist në historinë e Izraelit. Të paktën 1500 luftëtarë të Hamasit u futën përtej kufirit në Izrael nga toka, deti dhe ajri. Menjëherë pas kësaj, kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli ishte në luftë.

9 tetor: Izraeli urdhëron rrethimin e plotë të Gazës

Dy ditë më pas, Netanyahu tha se ushtria izraelite do të sulmonte Hamasin me një forcë “siç nuk ka ndodhur kurrë më parë”, me qëllim të shkatërrimit të grupit militant.

13 tetor: Një eksod në rritje

Ushtria izraelite u kërkoi 1.1 milionë njerëzve në Gazën veriore që të largoheshin nga banesat e tyre. Që nga fillimi i konfliktit, OKB-ja vlerëson se deri në 1.9 milionë njerëz janë zhvendosur.

17 tetor: Qindra të vrarë në spitalin e Gazës

Një shpërthim vdekjeprurës ndodhi në Spitalin Baptist Al-Ahli në Gaza, në të cilin po strehoheshin mijëra njerëz të zhvendosur.

CNN zbuloi se shpërthimi ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga një raketë e lëshuar gabimisht nga militantët palestinezë, jo nga Izraeli.

27 tetor: Izraeli zgjeron ofensivën tokësore

Pas një lufte të zhvilluar kryesisht nga ajri, Forcat Mbrojtëse të Izraelit njoftuan se po “zgjeronin operacionet tokësore” në Gaza.

15 nëntor: Bastisja e spitalit Al-Shifa

Izraeli nisi një operacion kundër Hamasit brenda spitalit më të madh të Gazës, ku besohej se ishin strehuar mijëra palestinezë. Kushtet në spital u përkeqësuan me shpejtësi në ditët e luftimeve. Bastisja shkaktoi kritika ndërkombëtare.

24 nëntor: Fillon një armëpushim

Pas ditësh negociatash, u arrit një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, i cili solli pauzë të luftimeve. Në kuadër të armëpushimit, pengjet civile të mbajtura robër nga militantët u liruan në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga ana e Izraelit.

1 dhjetor: Përfundon armëpushimi

Një javë më vonë, ushtria izraelite rifilloi luftën kundër Hamasit në Gaza, duke e akuzuar grupin për thyerjen e kushteve të armëpushimit. Fokusi i Izraelit filloi të zhvendosej nga veriu në Gazën jugore.

15 dhjetor: Vriten pengje pas një bastisje të dështuar

Ushtarët izraelitë qëlluan dhe vranë tre pengje izraelitë në Gazën veriore pasi i identifikuan gabimisht si “kërcënim.”

1 janar: Izraeli njofton tërheqjen e pjesshme

Në ditën e parë të vitit të ri, Izraeli njoftoi se së shpejti do të fillonte tërheqjen e mijëra ushtarëve nga Gaza në përgatitje për një fazë të re të luftës, megjithëse një zyrtar i lartë paralajmëroi se ai priste që luftimet të vazhdonin gjatë gjithë vitit.