80% e turistëve të cilët përgjatë vitit të kaluar vizituan Gjirokastrën janë të huaj, ndërkohë që numrin më të madh të tyre e zënë italianët. Janë rreth 100 mijë turistë nga Italia që gjatë vitit 2023 e përfshinë Gjirokastrën në turet e udhëtimeve të tyre në Jug të Shqipërisë.

” Mbi 50% e turistëve të huaj që kanë vizituar Gjirokastrën janë italianë, fakt është që ky turizëm italian në Gjirokastër ka qenë një turizëm i diversifikuar, një turizëm që ka ardhur në Gjirokastër dhe në jug të Shqipërisë nëpërmjet agjencive turistike shqiptare dhe italiane por edhe në mënyrë individuale private, ka qenë një turizëm i diversifikuar d.m.th edhe me grupe turistike por edhe nëpërmjet grupeve private ose elementëve privatë të cilët kanë ardhur direkt në Shqipëri me programet e tyre ose duke patur pozicionin e Gjirokastrës afër kufirit grek, kanë qenë me pushime në Greqi dhe kanë ardhur edhe në Gjirokastër”,-tha Teodor Bilushi, konsulli italian i nderit në Gjirokastër.

Interesi i turistëve nga Italia pritet të jetë i lartë edhe përgjatë vitit 2024 për të parë nga afër vlerat historike dhe arkitektonike të qytetit pasuri e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s. Agjencitë turistike italiane po shprehin një interes në rritje për të promovuar dhe sjellë më shumë vizitorë në Gjirokastër.

” Interesi vazhdon të jetë i lartë përsa i përket jugut të Shqipërisë dhe Gjirokastrës si elementi bazë i turizmit do të thoja kryeqyteti i turizmit për Jugun e Shqipërisë, pasi ka një turizëm jo të limituar në dy muaj por një turizëm i cili shtrihet në një sezon prej muajit prill deri në muajt tetor-nëntor. Turizmi italian edhe këtë vit do të jetë një nga prezencat më të larta përsa i përket turistëve të huaj”,–tha Teodor Bilushi, konsulli italian i nderit në Gjirokastër. Përgjatë vitit të kaluar qyteti i gurtë u vizitua nga mbi 300 mijë turistë vendas dhe të huaj.