Nga Ilir Yzeiri
Rituali i përkujtimit të viktimave që u vranë në Bulevardin « Dëshmorët e Kombit » më 21 janar ka trembëdhjetë vjet që përsëritet jo si një rit përshpirtjeje apo rikujtimi i aktit të atyre që u vranë ditën për diell, me duar në xhepa, siç thuhet rëndom në zhargonin gazetaresk për të ndjerin Ziver Veizi, (sepse ai, siç e tregojnë pamjet e kamerave ishte vërtet me duar në xhepa në momentin kur e qëllojnë me plumb dhe shembet në tokë), por është një aktakuzë e qeverisë ndaj atyre që dhanë urdhër për të vrarë në Bulevard protestuesit, pra, për të qëlluar mbi turmat e pambrojtura.
Më 21 janar jo vetëm që u vranë katër protestues, por edhe u plagosën dhjetëra e dhjetëra të tjerë. Ndaj edhe rituali i rikujtimit të asaj ditë nuk është përshpirtja për të rikujtuar katër viktimat, sepse, në vend të tyre, mund të ishte secili prej nesh, pwrkundrazi, rituali i përkujtimit çdo 21 janar me tufa lulesh që vendosen në vendin ku u vranë katër protestues dhe me fjalime nw Kryeministri është një formë e tejzgjatur vajtimi e qeverisë e cila, në një farë mënyre, tregon dobësinë dhe brishtësinë e saj përballë këtij krimi. Viktimizimi është një kulturë e sjelljes së shqiptarëve dhe, nëse e vëren, ky fenomen shfaqet thuajse në gjithë hapësirën shqiptare dhe përfshin një pjesë të madhe të memories sonë kolektive.
Viktimat dhe xhelatët, heronjtë dhe antiheronjtë, të shtypurit dhe shtypësit, kështu janë përjetuar në rrymë të historisë të gjitha qeveritë që kanë pasur shqiptarët që nga krijimi i shtetit të tyre e deri më sot. Edhe në narrativën më të përgjithshme, në atë që rrok historinë tonë që nga vdekja e Skënderbeut e këtej, viktimizimi shfaqet si një stereotipi dhe një klishe e ndërtimit të narrativës historike. Fraza që shenjon këtë periudhë është ajo që nis me « 500 vjet nën turkun », pastaj, « nën serbin », pastaj « nën Zogun » e pastaj « nën Enver Hoxhën » e tani, ashtu të ndarë si gjithnjë, në vetëdijen tonë përplasen dy narrativa.
Gjëja e parë që të vjen ndërmend kur sheh se viktimizimi është bërë një normë dhe një stereotipi e rikujtimit apo rindërtimit të së shkuarës është se shoqëria shqiptare nuk ka institucione të vërteta të besimit. Pra nuk ka ndërtuar ende të tilla modele që të vendosin drejtësinë dhe të sqarojnë me objektivitet se cila është viktima dhe cili është agresori. Në rastin e epokave historike, siç ishte periudha e Zogut apo ajo e diktaturës, shoqëria shqiptare nuk është çliruar ende nga sindromat e revanshit dhe nga viktimizimi. Problemi ynë më i madh është se nuk dimë dhe nuk kemi instrumente se si të ndahemi me të kaluarën dhe se si të ndërpresim lidhjen me to. Komunistët pas ardhjes në pushtet i ndërprenë marrëdhëniet me epokën para tyre në mënyrë të egër e me gjakderdhje.
Pas rënies së komunizmit, elitat postkomuniste nuk arritën të ndërtonin instrumente dhe institucione të tilla që të ndaheshin me të shkuarën në mënyrë dinjitoze duke zbuluar krimet dhe shkaktarët e tyre dhe duke bërë katarsisin e domosdoshëm, por edhe duke dënuar ata që kishin shkelur ligjet dhe kishin kryer krime. Logjika e mosndëshkimit politik dhe ndarja në viktima dhe agresorë shoqëroi historinë e re të Shqipërisë për shkak se enverizmi dhe shteti i ndërtuar si imitim i dhunës së një pjese mbi një tjetër vijoi dhe u shfaq sidomos në luftën civile të vitit 1997 dhe në masakrën e 21 janarit.
Qeveria e sotme ka bërë hapa të mëdhenj për të ndërtuar instrumente që gjykojnë krimin dhe kriminelët, por jemi ende larg nga vendosja e drejtësisë. Nëse familjarët e viktimave të 21 janarit nuk i kanë ndërprerë përpjekjet asnjëherë për të dënuar fajtorët dhe ata që shkaktuan masakrën e 21 janarit, qeveria e sotme më shumë është mjaftuar me ceremonialin e përkujtimeve dhe me rolin e viktimës dhe nuk i ka shfrytëzuar instrumentet e saj për të mbledhur prova ose për të rigjetur provat e shkatërruara e për të vënë në lëvizje drejtësinë edhe me instrumente parlamentare.
Është krijuar një perceptim jo i drejtë për pavarësinë e gjyqësorit dhe të sistemit të drejtësisë te ne. Është e vërtetë se pushtetet janë të ndara, por Shqipëria është Republikë Parlamentare dhe mbi Parlamentin nuk duhet të ketë asnjë pushtet tjetër. Parlamenti që drejtohet nga mazhoranca i ka të gjitha të drejtat që të vërë në lëvizje sistemin e drejtësisë duke miratuar ligje apo duke bërë amendime që nxisin sistemin e drejtësisë për të zhbllokuar çëshjte me interes të madh publik.