Në mbledhjen e parë të grupit Bardhi-Rithemelimi, me Berishën në arrest shtëpie për aferën “Partizani”, ish-kryeministri u kthye në pikën që i ndan edhe më shumë.
Luan Baci kërkoi që deputetët të firmosin një rezolutë për të dënuar arrestimin e Berishës, por kjo ka hasur kundërshtimin e deputetëve të grupit “Bardhi”, veçanërisht Bledion Nallbatit që e ka konsideruar servilizëm të panevojshëm.
Report Tv ka mësuar se edhe Agron Gjekmarkaj ka deklaruar se nuk do të bëjë pjesë në grupin e atyre që sulmojnë institucionet e drejtësisë dhe ndërkombëtarët, në kushtet kur nuk duhet harruar se Berisha ka ‘damkën’ e dy “non gratave”, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. Nuk duhen harruar sulmet e hapura të Sali Berishës kundër SPAK e gjykatës së Posaçme deri në etiketimet “vrasës” ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanit.
Por çështja “Berisha” nuk është e vetmja që shkaktoi debat në mbledhjen me dyer të mbyllura më shumë se 2 orë. Edhe aksioni në parlament, i ndan.
Skenari i tymuese që dirigjohej nga Berisha kur ish në liri, nuk solli plotësimin e asnjë kërkese të tyre, me 8 komisione hetimore të refuzuara në 2 vitet e fundit, ndaj deputetë si Dashnor Sula kërkuan që aksioni opozitar të arrijë deri në ngujim të tyre në parlament.
Por Gazment Bardhi ka deklaruar se nuk është momenti i përshtatshëm për përshkallëzim, në kushtet kur sipas tij ndërkombëtarët janë në lojë, e në këtë pikë flet për herë të parë për një takim të tijin me ambasadorët dhe përfaqësuesve socialistë, Elisa Spiropali e Klotilda Bushka.
Seanca e parë për këtë sesion parlamentar do të jetë të hënën e 15 janarit.